E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre Kongresmenë rezolutë për Kosovën në NATO

Kongresmenët Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, paraqitën një rezolutë të Dhomës së Përfaqësuesve që shprehte mbështetje të fortë për integrimin e Kosovës në NATO.

Rezoluta pohon se qeverisja demokratike e Kosovës, mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë dhe bashkëjetesa multietnike tregojnë një argument bindës për anëtarësimin në NATO.

Për më tepër, ndërsa forcat kundërshtare vazhdojnë të destabilizojnë rajonin, shtimi i Kosovës në aleancën e NATO-s do të shërbente si një kundërpeshë e nevojshme për të dekurajuar përpjekje të tilla armiqësore dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale që të ndodhte në Ballkan.

Katër shtete anëtare të NATO-s – Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, ende nuk e kanë njohur sovranitetin e Kosovës. Meqenëse NATO vepron me konsensus, kjo mungesë njohjeje paraqet një pengesë të konsiderueshme për aftësinë e Kosovës për të avancuar zyrtarisht drejt anëtarësimit, duke përfshirë pjesëmarrjen në mekanizmat kryesorë të pranimit, siç janë Partneriteti për Paqe dhe Plani i Veprimit për Anëtarësim.

Rezoluta i nxit këta katër aleatë të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre, duke theksuar se njohja më e gjerë e Kosovës është thelbësore për të zhbllokuar rrugën e saj drejt integrimit në NATO dhe për të mbyllur një boshllëk strategjik në Evropën Juglindore.

“Shtetet e Bashkuara duhet të inkurajojnë Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre dhe të sigurojnë që Kosova të ketë një rrugë të besueshme dhe të arritshme drejt anëtarësimit (ne NATO)”, tha Kongresmeni Self.

Ne rezolutë theksohet gjithashtu se anëtarësimi I Kosovës në aleancë, është thelbësor për të mbrojtur interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara në Evropën Juglindore.

Ushtruesja e detyrës së presidentit në Kosovë, Albulena Haxhiu, shprehu mirënjohjen për rezolutën, duke theksuar se Kosova duhet të zërë vendin që i takon në familjen euroatlantike.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›