E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bëhu ti ndryshimi që do të shohësh në Shqipëri”/ Arjan Dodaj mesazh dhe politikës për Pashkë: Dielli nuk lind vetëm për ju

Në vigjilje të Pashkës katolike, Arqipeshkvi Metropolit, Imzot Arjan Dodaj, ka përcjellë një mesazh frymëzues për besimtarët shqiptarë, duke theksuar rëndësinë shpresës për vendin.

“Nga më i madhi tek më i vogli, kjo është ndjesia, dija dhe përkatësia e parë që kemi nevojë t’i përcjellim çdo shqiptari. Pasi të qenit shqiptar nuk është çështje slogani, apo propagande, por trashëgimia që na është përcjellë ndër shekuj, dhe borxhi që u detyrohemi bijve tanë, brezave të rinj. Miq të dashur, Pashkët na çlirojnë pikërisht nga kjo logjikë. Ashtu sikur Krishti nuk mbeti në varr por hapi një rrugë të re përtej vdekjes, edhe për ne nuk ka situata pa shpresë. Drita e Zotit na fton të besojmë se ndryshimi është i mundur dhe fillon para së gjithash nga zemra e njeriut sot, nga zemra ime, nga zemra jote.”, tha Dodaj.

Duke cituar Nënë Terezën, ai shtoi: “Bëhu ti ndryshimi që pret dhe do të shohësh në Shqipëri!”.

Mesazhi për politikën: Dielli nuk lind vetëm për ju!

Imzot Arjan Dodaj foli gjithashtu për përgjegjësinë qytetare dhe politike të shqiptarëve, duke theksuar nevojën për integritet dhe veprime konkrete në vend. Në një mesazh drejtuar politikanëve, ai u shpreh se “dielli nuk lind vetëm për ta” dhe se të gjithë do të japin llogari.

“Prandaj sot është thelbësore të mos dorëzohemi përballë së keqes por të mbjellim shpresë konkrete, Shqipëria ka nevojë për burra dhe gra të ndershëm, që e duan këtë tokë dhe popullin e saj jo me fjalë, por me jetë të jetuara këtu. Ka nevojë për ndërgjegje reaguese, që nuk e pranojnë korrupsionin dhe padrejtësinë dhe mënjanimin si diçka normale. Është ky një urim për të gjithë dhe akoma më shumë për ata që mbajnë përgjegjësi politike, ekonomike dhe shoqërore, që të shohin me largpamësi dhe përgjegjësi të ardhmen e vendit, pasi ata janë të parët që nga ky vend kanë pasur shumë nga të mirat, nga të cilat gëzohen apo krenohen, por dielli nuk lind vetëm për ata.

Dielli dhe drita, pasuritë e këtij vendi janë për të gjithë, pasi Zoti na ka besuar një pasuri dhe përgjegjësi për të cilën do të japim llogari. Jemi të thirrur të jemi administratorë, dhe jo pronarë të vendit dhe pasurive të tij.”, tha Dodaj duke uruar të gjithë “Gëzuar!”.

Ndërkohë, sjellim ndërmend se besimtarët do të marrin pjesë sonte në meshën e vigjiljes së Pashkës, që mbahet në Katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, nën udhëheqjen e Arqipeshkvit. Mesha nis në orën 21:45 dhe pritet të përfundojë rreth orës 01:30 të mëngjesit të së dielës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›