“Beogradi synon konflikt të ri”/ Berisha: Sulmi në Banjske, fillimi i një kryengritje të armatosur

Lideri i opozitës Sali Berisha e cilësoi “kryengritje të armatosur” të organizuar nga Serbia, ngjarjen e një dite më parë në fshatin Banjskë në komunën e Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici shqiptar Afrim Bunjaku. Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi Beogradin zyrtar se synon të krijojë një konflikt të ri në Ballkan.
SALI BERISHA
“Sulmi i djeshëm në Manastirin e Banjkës ishte fillimi i kryengritjes së armatosur të organizuar nga Beogradi për hapjen e një konflikti të ri në rajon.”
Berisha në emër të demokratëve përgëzoi forcat e policisë së Kosovës për profesionalizmin e treguar gjatë aksionit të një dite më parë.
“Partia Demokratike mbështet pa rezervë të drejtën e autoriteteve të Kosovës për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit.”
Nga ana tjetër lideri i opozitës Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se u ka bërë jehonë kërkesave të Serbisë e nuk ka mbrojtur interesat e shqiptarëve të Kosovës.
Ish-kryeministri Sali Berisha zgjodhi të fokusohej te zhvillimet në Kosovë, duke shmangur çdo koment për humbjen e zgjedhjeve në Kukës, humbja më e thellë që e djathta ka shënuar në këtë bashki.