E Hënë, 2 Nëntor 2026

Beqaj kundërshton akuzën për vjedhje: Nuk ka prova për përfitim financiar apo përfshirje në pagesa

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka reaguar lidhur me gjyqin për dosjen e sterilizimit përmes një deklarate të publikuar nga avokati i tij, Ermal Yzeiraj.

Beqaj shprehet se nuk mund të akuzohet për vjedhje vetëm për shkak të detyrës që ka mbajtur, duke theksuar se pas gjashtë vitesh hetime ndaj tij nuk ka akuzë për korrupsion, por për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.

“Në një shtet të së drejtës, akuza për vjedhje kërkon pakësim ose përvetësim të pasurisë së tjetrit pa pëlqim të vlefshëm të pronarit. Kërkon akt konkret. Kërkon dashje. Kërkon vlere konkrete. Kërkon përfitim të padrejtë.

Asnjë nga këto nuk provohet ndaj meje.

Prandaj akuza për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” është e pabazuar.

Kërkoj të mos akuzohem për vjedhje pa u treguar shuma e vjedhur.

Kërkoj të mos dënohem për një veprim që nuk e kam kryer.

Kërkoj të mos zëvendësohet prova me perceptim.

Kërkoj të mos zëvendësohet ligji me paragjykim”, shkruhet ne postim.

Sipas ish-ministrit, ai nuk ka qenë pjesë e procedurave të pranimit të shërbimeve, faturimit apo pagesave dhe nuk ka asnjë provë që ka përfituar para apo ka urdhëruar pagesa.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›