E Diel, 1 Nëntor 2026

Bëri histori në Venecia/ Flet Mario Banushi, regjisori shqiptar që fitoi “Luanin e Argjendtë”

Një lajm historik për artin shqiptar: Mario Banushi fiton “Luanin e Argjendtë” në Bienalen e Venecias. 27-vjeçari triumfoi në Festivalin e 54-të Ndërkombëtar të Teatrit, duke u bërë regjisori më i ri në historinë e Bienales që nderohet me këtë çmim prestigjioz.

Vlerësimi i Këshillit të Administrimit të Bienales erdhi për gjuhën e tij teatrale unike, thellësisht vizuale dhe joverbale.
Veprat e Banushit shpalosin rrëfime autobiografike mbi humbjen, mungesën, familjen dhe kujtesën. Shfaqjet e tij janë prezantuar në New York, Londër, Berlin, Milano, Vjenë, Montreal dhe Taipei.
I rritur mes Shqipërisë dhe Greqisë, ai ka studiuar aktrim në Athinë dhe që herët ka ndërtuar një identitet artistik të veçantë. Vepra “Mirupafshim, Lindita”, e lindur nga një tragjedi personale, u kthye në kryevepër skenike dhe sukses ndërkombëtar.

Në lidhje direkte nga Athina për ABC e Mëngjesit, edhe pse i vlerësuar shpesh si grek, Banushi e thotë me krenari: “Jam shqiptar.”

Sot, emri i tij renditet mes më të rëndësishmëve të teatrit europian, pasi ai ka fituar gjatë viteve të fundit disa çmime ndërkombëtare nëfestivalet më të rëndësishme të teatrove në nivel global.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›