Bëri thirrje në TikTok për akte të dhunshme, arrestohet 24-vjeçari

TIRANË, 1 maj /ATSH/ Policia e Shtetit ka arrestuar një 24-vjeçar i cili sipas policisë ka bërë thirrje të drejtpërdrejta, nëpërmjet postimeve në TikTok, për akte të dhunshme, përfshirë nxitjen për djegien e një automjeti të Policisë së Shtetit.
Policia njoftoi se “gjatë monitorimeve të rrjeteve sociale, konstatuan postime të publikuara nga një adresë false në rrjetin social TikTok, ku një shtetas bënte thirrje për akte dhune”.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit nisi punën për identifikimin e autorit të këtyre postimeve.
“Në bashkëpunim me Njësinë Rajonale Antiterrorizëm Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës (Stacioni i Policisë Manzë), u kap dhe u shoqërua shtetasi D. F., 24 vjeç, banues në lagjen Perimore, Sukth, Durrës, i cili në përfundim të veprimeve u ndalua për veprat penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta””, njoftoi policia.
Sipas policisë “në një prej videove, ky shtetas u bënte thirrje qytetarëve që të shikonin dhe të ndiqnin momentin e djegies së një makine të Policisë së Shtetit, duke promovuar publikisht një akt të rëndë dhune dhe duke tentuar të nxisë reagime të rrezikshme në publik”.
“Ndërkohë, Drejtoria e Antiterrorit po ndjek çështjen në vijimësi, duke ndjekur procedurat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Shqipërisë dhe duke vlerësuar ndikimin dhe rrezikshmërinë e mesazheve të shpërndara në rrjet”, njoftoi policia. /j.p/