Reagim i delegacionit të BE-së: Raportet e OSBE/ODIHR të pavarura, dezinformimi mund të dëmtojë besimin e publikut

TIRANË, 1 maj /ATSH/ Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka përgënjeshtruar një artikull të publikuar dje në portalin “Syri.net”, në të cilin pretendohej se ambasadori i BE-së në Tiranë Silvio Gonzato ka hequr disa emra nga raporti paraprak zgjedhor i OSBE/ODIHR.
“Artikulli i publikuar nga Syri.net, që pretendon se Delegacioni i BE-së në Shqipëri apo Ambasadori kanë ndërhyrë për të hequr emra nga raporti paraprak zgjedhor i OSBE/ODIHR, është i pavërtetë”, njoftoi delegacioni i BE-së.
Nëpërmjet një njoftimi për mediet, delegacioni i BE-së nënvizon se “raportet e vëzhgimit zgjedhor të OSBE/ODIHR janë të pavarura, të paanshme dhe bazohen vetëm në gjetje të verifikuara nga ekipet e tyre të vëzhguesve”.
Sipas delegacionit të BE-së “dezinformimi mund të dëmtojë besimin e publikut në proceset demokratike”.