E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: 200 mijë shqiptarë protestuan mbrëmë kundër Ramës, lëvizja qytetare do të fitojë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar përmes një videomesazhi në Facebook ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili komentoi protestën e opozitës dhe ndikimin e saj në turizëm.

Berisha e cilësoi protestën e zhvilluar në Tiranë si një nga më të mëdhatë në historinë e kryeqytetit, duke pretenduar se qindra mijëra qytetarë morën pjesë për të kërkuar dorëheqjen e Ramës. Sipas tij, kryeministri po përpiqet të fajësojë protestuesit për dëmtimin e turizmit, ndërsa argumentoi se “armiku numër një i turizmit në Shqipëri” është vetë qeverisja aktuale.

Në mesazhin e tij, kreu i opozitës hodhi poshtë akuzat e Ramës për prani të thirrjeve fashiste në protestë, duke theksuar se pjesëmarrësit janë të angazhuar në atë që ai e quajti një lëvizje kundër “diktaturës autokratike” dhe kërkuan ndryshim politik në vend.

Videomesazhi i Kryetarit të PD, Sali Berisha

“Të dashur qytetarë dhe qytetare. Dje Tirana njohu protestën më të fuqishme në tërë ekzistencën e saj, mbase 200.000 qytetarë vërshuan në sheshet dhe rrugët e saj në kërkesën për dorëheqjen e Edi Ramës. Por siç ka faktuar historia, diktatorët të verbuar nga pushteti nuk dëgjojnë të tjerët, nuk njohin realitetin dhe së fundi nuk marrin ndonjëherë vendime të drejta.

Ai sot në monologun e tij u rrek përsëri të fajësojë protestën për turizmin, madje solli edhe shembuj të agjencive që protestojnë, e vërteta është se antimitingjet e Ramës por edhe të ndonjë agjencie janë të tëra akte antidemokratike mbasi armiku numër 1 i turizmit në Shqipëri sot për sot është Edi Rama. Jep dorëheqjen që të vijnë turistët meqenëse ti e shtrove në çështje kryesore.

U ndal gjerësisht në mendësinë e tij të vjetër komuniste për fashistët dhe thirrjet fashiste të protestuesve. Edi Rama me këto nuk mund të mashtrosh njeri.

Protestuesit janë në një mision të madh të përmbysjes së diktaturës autokratike që instalove bashkë me klanet e drogës, organizatat kriminale dhe qeveritarët e tu. Ndaj dhe ka vetëm një rrugë, jep dorëheqjen në mënyrë që kjo verë të shtrohet në verën e fitores së demokracisë, fitores së shqiptarëve.

Po në protestë ka dhe do ketë banorë, qytetarë shqiptarë që nuk banojnë në Shqipëri, që banojnë në Kosovë, Maqedoni, por që banojnë në mbarë Europën dhe botën.

Shqipëria është dheu i dashur i tyre dhe ata përjetojnë në dhimbje të madhe dramën e tmerrshme që i krijove këtij vendi duke përzënë nga Shqipëria si me platformën e Vaso Çubrilloviçit dy herë më shumë se sa serbët në Kosovë duke përzënë vetëm në hapësirën e Bashkimit Europian 1 milion e 100 mijë shqiptarë në 10 vite.

Fole se dy gjëra nuk negocion ti, të ardhurat dhe rritjen ekonomike. Po ato të ardhura i përvetëson ti dhe oligarkët e tu kurse shqiptarëve u ngelen thërrime.

Ndaj dhe ajo që mbetet të bësh, akti më i rëndësishëm, jep dorëheqjen sa nuk është vonë. Ky revolucion, kjo protestë, kjo lëvizje nuk ka të ndalur, do realizojë plotësisht misionin e saj.

Është një lëvizje çlirimtare në raport me diktaturën tënde autoritare. Lëvizja do fitojë”, u shpreh Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›