Berisha: Analizë e problemeve në PD pas denoncimit të farsës elektorale

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ndal sot sërish tek faktet që sipas tij tregojnë për farsë elektorale më 11 maj.
Në një konferencë për mediet nga selia e kësaj partie, Berisha tha se po dokumentohet farsa elektorale për t’ia lënë më pas fjalën popullit opozitar dhe demokratëve.
Berisha tha se në raportin që u miratua në Këshillin e Europës nga delegacioni që vëzhgoi zgjedhjet, rekomandimi thotë në Shqipëri të ndahet partia nga shteti.
“Për çdo njeri që ka minimumin e njohurive elektorale, ky rekomandim do të thotë se zgjedhjet janë zhvilluar në kushtet e partisë shtet dhe se në kushtet e partisë shtet nuk ka zgjedhje, por ka farsë”, deklaroi Berisha.
Duke e cilësuar 11 majin si farsë të pashembullt në 32 vite, Berisha shton se ajo po dokumentohet çdo ditë për shqiptarët dhe institucionet ndërkombëtare.
Kreu i PD-së, Sali Berisha po ashtu u shpreh se kjo forcë politike do të bëjë një analizë të plotë lidhur me humbjen e zgjedhjeve.
Berisha tha se kjo analizë synon që Partia Demokratike të modernizohet dhe të hapet gjithnjë e më shumë.
Sa i takon statutit të partisë, sipas tij, është në rregull dhe nuk ka nevojë për momentin për ndonjë ndryshim.
“Sigurisht që pasi të finalizojmë denoncimin në Shqipëri dhe botë të farsës elektorale, PD do bëjë një analizë të plotë të të gjitha problemeve në mënyrë që të modernizohet dhe të hapet gjithnjë e më shumë”, përfundoi Berisha.