E Martë, 3 Nëntor 2026

Shqipëria në tryezën globale të sigurisë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Blerina Abrazhda mori pjesë në Senior Executive Seminar të mbajtur në George C. Marshall Center, një nga forumet më prestigjioze të sigurisë ndërkombëtare, ku morën pjesë mbi 40 vende nga e gjithë bota.

Ky seminar përfshin drejtues të lartë ushtarakë, diplomatë dhe politikëbërës me ndikim, dhe pjesëmarrja në të realizohet vetëm me nominim zyrtar nga partnerë strategjikë të SHBA-së dhe NATO-s. Zëvendësministrja Abrazhda u nominua nga Zyra e Bashkëpunimit për Mbrojtjen e SHBA-së.

Gjatë këtij seminari, Abrazhda kontribuoi në diskutime të rëndësishme mbi fragmentimin e industrisë evropiane të mbrojtjes, ndikimin e rregullave antitrust të BE-së në bashkëpunimin mbrojtës, si dhe nevojën për rritjen e ndërveprueshmërisë dhe qëndrueshmërisë industriale në NATO.

Ajo u ndal po ashtu te roli i inteligjencës ushtarake dhe kundërinteligjencës në arkitekturën e sigurisë transatlantike.

Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të dëgjojnë drejtpërdrejt nga disa prej figurave më të rëndësishme të mbrojtjes globale, si: gjeneral Carsten Breuer, shef i Forcave të Armatosura Gjermane; gjeneral Samuel Paparo, komandant i Komandës Indo-Paqësore të SHBA; gjeneral lejtnant (në pension) Barre Seguin, drejtor i Qendrës Marshall; Radmila Shekerinska, zëvendëssekretare e përgjithshme e NATO-s; Michael Miller, drejtor i DSCA, Departamenti i Mbrojtjes së SHBA.

“Ky forum shërbeu si një platformë e rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve me aleatët tanë dhe për ndarjen e përvojave me përfaqësues të lartë nga e gjithë Evropa dhe bota, përfshirë ekspertë të fushës së inteligjencës ushtarake dhe kundërinteligjencës”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes vlerëson këtë angazhim si një hap domethënës në konsolidimin e rolit të Shqipërisë në arkitekturën euroatlantike të sigurisë.

1 nga 8

/m.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›