Berisha: Angazhim maksimal të strukturave për protestën e 24 janarit

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkoi sot angazhim maksimal të strukturave të PD për protestën e 24 janarit.
Gjatë mbledhjes me kryetarët e degëve, Berisha e përkufizoi vitin 2026 si vitin më vendimtar për opozitën dhe për Shqipërinë, duke theksuar se përballja me qeverinë aktuale nuk është më një betejë e zakonshme politike, por një mision historik për rrëzimin e asaj që ai e cilëson si një narko-diktaturë.
Berisha tha se duhet angazhim i çdo strukture për protestën e datës 24 janar. “Ne nisim këtë vit pasi në një betejë të pabarabartë, në një betejë të vështirë, ne ja kemi dalur të paraqesim me sukses para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar të vërtetat dramatike të narkoshtetit, të diktaturës autoritare apo autokracisë elektorale të Edi Ramës.”
Berisha tha se, “nuk vjen kush nga jashtë për ta hequr. Atë duhet ta heqim ne. Ne shqiptarët na kanë votuar për të përmbushur misionin tonë, largimin e tij nga pushteti”.
“Ndaj dhe duhet një dialog intensiv me anëtarët tanë, pasi kjo protestë ka rëndësi të madhe. Shqiptarët e presin nga ne me kohë këtë protestë, sikundër presin zërin tonë të revoltuar, kryengritjen tonë paqësore të përditshme deri në rrëzimin e tij”, tha Berisha.
Ai tha se beteja do bazohet tek guximtarët. “Po të shohësh në aparencë, ne jemi një parti e madhe. Jemi me një elektorat të madh. Por, natyrisht beteja krijon dhe problemet e veta. Ndaj dhe ne do e bazojmë këtë betejë në guximtarë, se vetëm ata do mund të shpëtojnë Shqipërinë. Nuk mundet asnjë nga ne të mendojë asgjë tjetër përveç përmbushjes së misionit tonë, largimit një minutë më parë nga pushteti të kësaj organizate kriminale”, tha Berisha.
/a.f/r.e/