Berisha: Beteja e opozitës do të vazhdojë e pandërprerë

TIRANË, 24 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se beteja e opozitës do të vazhdojë e pandërprerë dhe forma e protestës së ardhshme do të shpallet së shpejti.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha foli edhe për jehonën që kanë pasur protestat e opozitës në rrafshin ndërkombëtar.
“Në rrafshin ndërkombëtar, ju jeni dëshmitarë vetë që me datën 22 mars në darkë, lajmet më kryesore pas luftës në Lindjen e Mesme, kanë qenë lajmet për betejën e qytetarëve të Tiranës kundër korrupsionit në Shqipëri. E keni parë vetë se me çfarë dashamirësie dhe simpatie të madhe i kanë përcjellë, me çfarë korrektese”, u shpreh ai.
Berisha ftoi qytetarët të bashkohen me protestat e opozitës, sepse sipas tij, “protestohet për interesat më jetike të tyre”.
Sipas tij, “në protestën e 22 marsit shndriti zëri i qytetarëve shqiptarë që mbrojnë me dinjitet interesat e tyre”.
“Unë garantoj qytetarët se PD është e vendosur që stinën e kryengritjes paqësore ta vazhdojë me vendosmërinë më të madhe. Ndaj dhe një herë ftoj shqiptarët, në datën dhe orën e caktuar, që do të jetë shumë e shpejtë, të dalim në shesh në kryengritjen më të fuqishme që të çojmë Shqipërinë drejt fitores, drejt përmbysjes së këtij regjimi armik të shqiptarëve”, tha Berisha.
/m.m/a.f/r.e/