Berisha: Bursa e studentit do të jetë 200 euro

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim me banorët e zonës së ‘Kombinatit’ në Tiranë.
Berisha në fjalën e tij u shpreh se, “ne i garantojmë qytetarët se do e ndryshojmë Shqipërinë”.
“Se biznesi i vogël, siç ua kam deklaruar kudo ku i kam takuar, do ketë energjinë me 6 lekë. Do ketë sipërfaqen publike me 120 lekë kundrejt 1500 lekë që i marrin sot. Se tavani i vendosjes së TVSH do spostohet nga 100 në 180 lekë. Se tavani i pagesës së tatimfitimit do spostohet nga 140 në 180 mijë euro. Dhe se bashkia do ta ketë kufirin tek thana, nuk do mund të vendosë kurrë mbi 1 për qind të xhiros vjetore tarifa bashkiake. Në këtë mënyrë ne i japim një frymëmarrje të vërtetë biznesit të vogël”, u shpreh Berisha.
“Made in Albania, prodhimi në Shqipëri është motoja jonë, është krenaria jonë. Ne do krijojmë klimën më miqësore për biznesin, tërheqjen e investimeve të huaja, punësimi dhe rritja e rrogave janë qëllimet tona. U garantoj se energjia nga jugu në veri, në çdo çati shqiptare që dëshiron do ketë panelet fotovoltaike dhe brenda 3 viteve do likuidojë investimin e tyre dhe do e ketë energjinë gjithmonë falas. Dhe shteti do u blejë çdo tepricë prodhimi”, tha Berisha.
Kreu i PD shtoi se, “Shqipëri Madhështore pa rini nuk ka. Ndaj dhe ne do vendosim bonuset për fëmijën e parë 70 euro. Për fëmijën e dytë 60 euro. Për fëmijën e tretë, shpenzimet totale nga lindja gjer 23 vjeç. Do modernizojmë arsimin. Mësuesin do e vendosim në piedestal. Bursa e studentit do të jetë 200 euro. Mesatarja hiqet”.
“Do bëjmë gjithçka për shkollimin, për punësimin dhe strehimin e të rinjve. Çiftet e reja do marrin grante 30 mijë euro për të përballuar kredinë. Dhe në rast se familja e tyre bëhet me tre fëmijë, ai grant falet përgjithmonë”, tha Berisha.
Pra, shtoi ai, “krahas këtyre, Shqipëria do shndërrohet në epiqendër të teknologjisë së lartë. Shqipëria do jetë një Shqipëri Madhështore dhe u siguroj ju se ky projekt është konkret, është 100 përqind i realizueshëm. Kërkon mbështetjen tuaj më 11 maj”
Duke folur për partitë e reja, Berisha tha se, ato kanë dalë hapur kundër rotacionit. “Rrinë për të zgrapur vota nga ne për të ndihmuar Edi Ramën. Ky është akt i shëmtuar”, tha Berisha.
“Ky projekt është projekt për çdo shqiptar të ndershëm pavarësisht nga bindjet e tij politike. Ky projekt është projekt që kërkon të nxjerrë Shqipërinë nga mjerimi. Është projekt që kërkon t’i mundësojë suksesin çdo shqiptari që kërkon të jetojë me djersën e tij. Është projekt që kërkon të mbajë fëmijët shqiptarë këtu për të ndërtuar në Shqipëri ëndrrën e tyre”, tha më tej Berisha. /j.p/