E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Cilësim i papërgjegjshëm i protestuesve si terroristë

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas përplasjeve të shënuara gjatë protestës para Kuvendit, duke dënuar përdorimin e forcës nga policia dhe deklaratat e mazhorancës për protestuesit.

Në një prononcim jashtë Kuvendit, Berisha tha se dënon përdorimin e ujit me presion, gazit dhe mjeteve të tjera ndaj protestuesve.

“Dënoj dhunën e egër, përdorimin e lëndëve djegëse, gazeve helmuese, sprajit të ariut, topave të ujit ndaj protestuesve paqësorë, akte me të cilat dëshmohet fytyra e vërtetë diktatoriale e regjimit”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së kritikoi gjithashtu deklaratën e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili e cilësoi situatën gjatë protestës si terrorizëm.

“Dënoj me forcën më të madhe cilësimin si terroristë të protestuesve paqësorë në një akt të pashembullt nga kryetari i grupit parlamentar të partisë së krimit, Taulant Bego Yaris”, tha Berisha.

Sipas tij, qëndrime të tilla ndaj qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore janë të papërgjegjshme.

Berisha përsëriti kërkesën e tij për përfundimin e mandatit të Kuvendit, duke deklaruar se deputetët aktualë nuk përfaqësojnë qytetarët shqiptarë.

“Kërkoj edhe njëherë përfundimin e këtij parlamenti, pasi këta deputetë në mënyrë absolute nuk përfaqësojnë qytetarët shqiptarë”, u shpreh ai.

Ai akuzoi mazhorancën për marrjen e pushtetit përmes votave që, sipas tij, janë siguruar në mënyrë të paligjshme, duke përmendur pretendime për ndikim të bandave kriminale dhe patronazhistëve.

Protesta para Kuvendit u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›