Program i ri trajnimi për administratën publike në Tiranë, Bruksel dhe Berlin

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Nëpunësit publikë shqiptarë do të kenë mundësi të marrin pjesë në një program të posaçëm trajnimi të organizuar nga Ambasada Gjermane në Shqipëri, në bashkëpunim me Hertie School Executive Education në Berlin, me fokus rritjen profesionale dhe zhvillimin e kapaciteteve të administratës publike.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, bëri të ditur se programi përbën një mundësi të rëndësishme për formimin e mëtejshëm të nëpunësve publikë, përmes ndërthurjes së përgatitjes akademike me eksperiencën praktike në institucionet evropiane.
Programi do të zhvillohet në tre faza, në Tiranë, Bruksel dhe Berlin, duke u ofruar pjesëmarrësve njohuri dhe praktika të avancuara në fushën e administrimit publik dhe qeverisjes evropiane.
Nëpërmjet një procesi konkurrues do të përzgjidhen 12 nëpunës publikë nga administrata qendrore, administrata vendore dhe institucionet e pavarura.
Në përfundim të trajnimit, pjesëmarrësit do të pajisen me një Certifikatë Ekzekutive me 12 kredite ECTS, e cila u mundëson aplikimin edhe në programe të tjera akademike ndërkombëtare, përfshirë Kolegjin e Evropës.
Sipas Ministrisë së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, iniciativa synon forcimin e mëtejshëm të profesionalizmit të administratës shqiptare dhe përafrimin e saj me standardet e administratave publike evropiane, në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
/e.xh/j.p/