E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do të ndërmarrim të gjitha veprimet e duhura për hartën më të mirë territoriale

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi sot se PD do ndërmarrë të gjitha hapat që ekzistojnë për hartën më të mirë të mundshme të ndarjes së njësive territoriale.

Në një konferencë për medie, Berisha u shpreh se karta e Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale detyron referendumet dhe konsultimet për hartën territoriale.

“Ka një zhvillim shumë pozitiv në këtë aspekt. Qëndrimi i qartë publik i Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale lidhur me ndryshimet e hartës së njësive territoriale në Shqipëri, përcaktohet se karta e këtij Kongresi, e firmosur nga Shqipëria, detyron referendumet, detyron konsultimet”, theksoi ai.

Berisha theksoi se harta e propozuar nga PD paraqet 111 njësi, por ajo është e hapur për diskutim.

“Që nga diskutimet me komunitetet, aty ku ekzistojnë kushtet më minimale të krijohen dhe njësi të tjera. Ky është qëndrimi ynë”, theksoi ai.

Kreu i PD-së theksoi se decentralizimi është një parim themelor i një shteti që pretendon të jetë demokratik.

“Edi Rama ka bërë hiper-përqendrimin dhe hipercentralizimin e pushtetit në Shqipëri”, tha Berisha.

I pyetur nëse PD do të mbledhë firmat për të kërkuar referendum, Berisha u shpreh se “do të ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura”.

/m.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›