Reforma territoriale, Rama takim në Kuç me kryebashkiakët për hartën e re

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Kuç të Vlorës takimin konsultativ me kryetarët e bashkive, në kuadër të diskutimeve për reformën e re administrative-territoriale.
Mediet raportuan se takimi i cili zgjati rreth katër orë e 30 minuta, u përqendrua te propozimet për ndryshimin e hartës së bashkive dhe bashkimet e mundshme në kuadër të reformës.
Në takim morën pjesë bashkëkryetari i Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, si dhe kryetarë të bashkive në rang qarku dhe drejtues të bashkive që parashikohet të mos jenë pjesë e hartës së re.
Gjatë diskutimeve, kryetarët e bashkive të prekura nga propozimet për bashkim paraqitën argumentet dhe qëndrimet e tyre për vijimin e ekzistencës së njësive që drejtojnë. Në të njëjtën kohë, në tryezë u diskutuan edhe argumentet në favor të bashkimeve të propozuara.
Sipas medieve, diskutimet janë zhvilluar me të gjithë kryetarët e bashkive të pranishëm, duke sjellë në fokus efektet e mundshme të ndryshimeve në organizimin territorial dhe administrimin vendor.
Në konsultimin e zhvilluar në Kuç morën pjesë drejtues të bashkive Durrës, Shkodër, Kukës, Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Cërrik, Belsh dhe Libohovë.
/e.xh/j.p/