Berisha: Dumani zgjatim i bandave, Edi Rama produkti më kriminal i Sorosit në Europë

Nga Prokuroria e Posaçme, e cila e akuzon për korrupsion, Sali Berisha shënjestroi kreun e këtij institucioni, Altin Dumani duke e quajtur zgjatim të pushtetit dhe të bandave kriminale.
“Sot e përgjithmonë ai do mbetet në analet si Altin Troplini. Dhe avokatit më kryesor të karteleve qeveritare të drogës. Ju jeni dëshmitarë se unë kam paraqitur këtu para jush bashkëpunimin e ngushtë të Taulant Ballës me Suel Çelën. Bisedën e tyre të famshme telefonike ku i thotë Suel Çelës se ne po e arrestojmë kundërshtarët e tu dhe ju do jepni votat që ne kërkojmë. Dhe ky pakt u zbatua. Rikujtoj shqiptarët se si Edi Rama, produkti më kriminal në Europë i Xhorxh Sorosit, dhe Altin Troplini, mbrojnë delinkuenten, fytyrën e vërtetë të drejtësisë sorosiane, Irena Gjoka”, tha Berisha.
Sipas Berishës, humbja e gjurmëve për disa orë e Daniel Shimës, ish-nëndrejtorit të AKSHI-t ishte pengmarrje politike.
“Cili zyrtar i lartë është kërcënuar personalisht nga Edi Rama? Daniel Shima është ndër më të paktit zyrtarë të lartë që është kërcënuar personalisht nga Edi Rama. Edi Rama nuk e ka përgënjeshtruar asnjëherë këtë. Kur një zyrtar, apo një qytetar akuzohet për një gjë konkrete, detyrimi i tij para publikut është ta përgënjeshtroj. Keni lexuar ndonjë deklaratë të Ramës që ta përgënjeshtroj? Unë nuk kam lexuar asnjë”, tha Berisha.
Ndërkohë, i pyetur se pse nuk e ka bërë ende publike faturën e strategut amerikan të fushatësh elektorale Chris La Civita, kryedemokrati tha: Tani deputetët po deklarojnë shpenzimet personale. Sepse nga deputetët që kanë bërë fushata kanë shpenzuar me dhjetëra, qindra, mijëra euro në këtë e këtë veprime. Sali Berisha nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë personale, sepse fushatën time e ka mbuluar PD. Pra çfarë shpenzimesh kam bërë unë në turneun në mbarë Shqipërinë, është bërë nga PD.
Në fund, Berisha premtoi një betejë të fortë opozitare në vjeshtë.
“Natyrisht çdo kohë ka risitë e veta”, përfundoi Berisha./vizionplus.tv