E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Garancia sovrane për kreditë në bujqësi, për blerjen e votave të 11 majit

TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, në zgjedhjet e 11 majit u blenë votat me skemat në bujqësi.

Në një konferencë për shtyp, Berisha theksoi se, u përdor fondi prej 250 milionë eurosh si garanci sovrane për kreditë e buta.

“Farsa elektorale 11 maj 2025 është farsa më e shëmtuar që nga koha e zgjedhjeve moniste në diktaturën e Enver Hoxhës. Për të siguruar mandatin e katërt, Edi Rama përdori të gjitha llojet e krimeve elektorale të padëgjuara më parë”, tha Berisha.

“Ai për herë të parë, njeriu që shkatërroi bujqësinë shqiptare, njeriu që shkatërroi blegtorinë në kuptimin pothuaj të përgjysmimit të krerëve me pasojë rënien dramatike tëprodhimit të qumështit dhe prodhimeve të tjera blegtorale bujqësore, u kujtua në vitin elektoral të shpërndajë 200 milionë euro garanci 70 për qind të kredive të buta për fermerët”, u shpreh Berisha.

Natyrisht, shtoi kreu i PD, “jo për fermerin e vërtetë, por për fermerët e qeverisë, për fermerët e lidhur me qeverinë dhe kundrejt shpërblimeve të mëdha në vota”.

Berisha theksoi se votat u blenë me garancinë sovrane për kreditë për SME në bujqësi dhe me programin kombëtar për subvencionin në bujqësi.

“Edi Rama në skemën e parë premtoi 70 për qind garanci sovrane për kredi të buta në bujqësi për SME-të. Fondi 250 milionë euro nga 32 milionë euro që kanë marrë fermerët çdo vit. Skema është shpallur me datën 10 shkurt 2025”, tha Berisha.

“Kodi zgjedhor, neni 91/4 dhe vendimi numër 9, viti 2020 i KQZ ndalon çdo lloj transaksioni dhe ndikimi në procesin zgjedhor”, theksoi ai.

“Më 10 shkurt 2025, Edi Rama njofton se garancia sovrane do mbulojë 70 për qind të principalit të kredisë. Faktikisht pra është një blerje masive votash”, theksoi Berisha.

“Me skemën e garancisë sovrane, në kundërshtim flagrante me ligjin, me kodin, Edi Rama dhe ministrat e tij qarkuan Shqipërinë për të blerë vota”, tha më tej Berisha.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›