E Premte, 6 Nëntor 2026

Berisha: Gati të votojmë çdo ndërhyrje në Kod për votën e emigrantëve

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë një mbledhjeje me drejtuesit e qarqeve, tha se opozita është e gatshme të votojë çdo ndërhyrje të nevojshme në Kod në funksion të votës së diasporës.

“Grupi ynë i punës, Bylykbashi, Kaso dhe përfaqësuesit tanë në KQZ kanë bërë një pune intensive, serioze për udhëzimet në zbatim të ligjit që u miratua. Ne jemi të gatshëm të votojmë çdo ndërhyrje të nevojshme për ta bërë procesin e votimit të shqiptarëve jashtë vendit sa më pa pengesa, të mundshëm, transparent dhe të pamanipulueshëm. Nuk duhet të harrojmë se kemi të bëjmë me një të drejtë themelore të qytetarëve shqiptarë që ne kurrë nuk e shmangim”, tha Berisha.

Një ditë më parë, Sekretari për Organizimin dhe çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri hodhi idenë e një ndërhyrjeje të fundit në Kodin Zgjedhor për të mos vënë në rrezik votën e emigrantëve.

Gjiknuri tha se zgjidhja kërkon edhe vullnetin politik të opozitës.

“Ky është një shqetësim që do të kërkonte ndryshime në Kodin Zgjedhor. Mendoj se mund të bëhet ndonjë modifikim në kod vetëm për këtë gjë. Mendoj që edhe nga ana e opozitës duhet të ketë vullnet për ta bërë këtë. Nuk është dëshirë politike, por proces politik”, u shpreh Gjiknurit.

Sipas KQZ asnjë prej operatorëve ndërkombëtar të kontaktuar nuk merr përsipër në më pak se 30 deri 45 ditë në sjelljen e zarfeve me fletët e votimit.

Sipas kodit aktual zgjedhor subjektet politike dorëzojnë në KQZ listën e kandidatëve jo më vonë se 50 ditë para datës të zgjedhjeve. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›