Dezinformimi nga vendet armiqësore, Braçe: Në Kuvend, listë e gjatë mediesh online apo tradicionale që bien pre apo vihen në dispozicion

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Rreziku që vjen nga sulmet kibernetike dhe dezinformimi vijon të jetë shqetësimi kryesor i institucioneve si AKSH dhe Shërbimi Informativ Shtetëror.
Kryetari i komisionit të Posaçëm parlamentar për “Dezinformimin”, Erion Braçe deklaroi se të gjitha institucionet shqiptare po përballen me sulmet kibernetike.
Pas raportimit të kreut të AKSHI-t, Karçanaj e shefes së SHISH-it Vlora Hyseni në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, Braçe tha se ka mbërritur një listë me media online dhe ato tradicionale që bien pre apo vihen në dispozicion të vendeve që i quajti armiqësore.
Kreu i komisionit kundër dezinformimit, tha se vendi do duhet të hyjë në rrugën e formalizimit të medias, duke qenë është i zbuluar për sa i përket dezinformimit e ndërhyrjeve armiqësore.
“Na vjen mirë që të gjitha institucionet janë ndërgjegjësuar sa i takon sulmeve kibernetike dhe po shpenzohet veçanërisht në teknologji dhe burime njerëzore për t’u përballur me këtë fenomen. Nga pikëpamja e legjislacionit ne jemi komplet të zbuluar, nuk gjen asnjë ligj që të adresojë dezinformimin, ndërhyrjet malinje”, tha ai.
“Dhe do të duhet të hyjmë në këtë linjë, edhe të formalizimit të medias. Unë po iu referohem ekspertëve të SHISH që kanë bërë këtë analizë. Në informacionin që ka ardhur pranë Komisionit të Posaçëm të Kuvendit ka një listë të gjatë që bien pre, ashtu siç ka dhe një listë të gjatë tjetër që vihen në dispozicion. Pra media online që vihen në dispozicion. Apo media tradicionale audiovizive që bien pre e një dezinformimi sepse nuk bëjnë atë që është themelore verifikimi i fakteve”, tha Braçe.
“A do të shkojmë në publikim të këtyre? Mua me vjen keq ja dhe i publikuam. Pjesa më e madhe e tyre janë të paidentifikuara, janë të paligjëruara, operojnë thuajse në të zezë, janë informale dhe të paregjistruara kurrkund” – tha Braçe. /j.p/