Berisha: Gjykata Kushtetuese shkelmoi ligjin për të larguar Sonila Bejtjan

TIRANË, 17 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha sot se “në jurisprudencën e këtij vendi është regjistruar shkalla më ekstreme e keqpërdorimit të Kushtetutës”, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i hap rrugë Presidentit të Republikës për të shpallur vakancën për mandatin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Berisha tha se “Gjykata Kushtetuese vendosi shkelmimin e ligjit të saj dhe opinioneve zyrtare të Komisionit të Venecias”.
“Dje, për të larguar nga Gjykata Kushtetuese ‘armiken’ Sonila Bejtja, gjykatëse kushtetuese, e emëruar në vitin 2020 me dekret të presidentit Ilir Meta, Gjykata Kushtetuese vendos duke shkelmuar mbi ligjin e vet të shpallë jashtë çdo lloj kompetence ndërprerjen e mandatit të saj.
“Përcaktimi i Kushtetutës në nenin 125, pika 6, se përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet me një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj, është transkriptuar, është mishëruar në ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese, neni 86, pika 4, në të cilin sanksionohet: Përtëritja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2022 do të bëhet sipas skemës së parashikuar më poshtë.
“Pra, përtëritja me një të tretën, siç parashikon Kushtetuta, ligjvënësi e ka quajtur të drejtë ta mbajë gjer në vitin 2022”, tha Berisha.
Berisha shtoi më tej se “cilido që kishte kundërshti për këtë përcaktim të ligjit, që është ligj organik, të Gjykatës Kushtetuese, kishte të drejtën t’i drejtohej parlamentit, i cili mund të amendonte ligjin”.
“Por, edhe Gjykata Kushtetuese kishte të drejtë t’i kërkonte parlamentit jo opinion për kandidaturat, se nuk ka asnjë tagër parlamenti për këtë, siç veproi, por kishte të drejtë t’i kërkonte parlamentit si ligjvënës të përcaktonte qëndrimin ndaj legjislacionit, i cili sa kohë është në fuqi, është në zbatim”, tha Berisha.
Berisha theksoi më tej se “Sonila Bejtja është zgjedhur dhe mori mandatin e Besnik Muçit, i cili u detyrua brenda një muaji apo dy të dorëzojë mandatin. Dhe është zgjedhur për një vend që ishte vakant që nga viti 2016. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas ligjit të Gjykatës Kushtetuese, sipas opinionit të Venecias, sipas vetë Kushtetutës, mandati i saj nuk mund të ndërpritej”.
“Sepse e vërteta është, duhet ta pranojmë, zonja Bejtja ishte një zë i pavarur, një zë që nderonte parimin themelor të një sistemi”, u shpreh Berisha.
/m.q//r.e/a.f/