E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Gratë dhe vajzat, fibra kryesore e opozitës shqiptare

TIRANË, 8 mars /ATSH/ Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Lidhja Demokratike e Gruas në bashkëpunim me FRPD dhe Departamentin Brain Gain, organizoi sot një aktivitet në selinë e Partisë Demokratike për të nderuar dhe festuar rolin dhe kontributin e gruas në shoqërinë shqiptare.

I pranishëm në aktivitet, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, uroi gratë shqiptare dhe shprehu mirënjohjen ndaj grave demokrate ku theksoi se “me ndihmesën, me guximin, me qëndresën e tyre, janë fibra kryesore e opozitës shqiptare dhe e Partisë Demokratike”.

“Kontributi i juaj, kontributi i gruas shqiptare është i shumëfishtë krahasuar me kontributin e burrave, djemve dhe ky është një realitet sot.

“Sot, në Shqipëri dhe mbarë botën, epërsia intelektuale e vajzave dhe e grave është definitivisht e konfirmuar. Sot në Shqipëri dhe në mbarë botën, eficenca e tyre është definitivisht e konfirmuar.

“Sot, dhe kjo ka qenë gjithnjë, kontributi i tyre në zhvillimin e një shoqërie ka qenë rreth dy herë më i madh sesa i burrave, sepse ju përballeni në 24 orë me punën në profesionet tuaja, por përballeni dhe me punën në familjet tuaja, e cila është një kontribut real për të gjithë shoqërinë dhe një kontribut thelbësor në nga atë çka një shoqëri krijon, të mirat që krijon”, tha Berisha.

Berisha tha se “muri i patriarkisë është dhunuesi më kryesor i të drejtave të njeriut kudo në botë, në Shqipëri, por kudo në botë”.

“Beteja kundër këtij muri është beteja më fisnike, është beteja më e rëndësishme e njeriut për barazi, për dinjitet, për të drejta njeriu. Ky mur 5000 vjeçar nuk shembet në dekada. Ky mur duhet shembur dhe gratë, vajzat, të gjithë ata të cilët besojnë se në forcën e jashtëzakonshme dhe rolin e tyre të jashtëzakonshëm në familje dhe shoqëri, duhet të bëjnë gjithçka që këtë mur ta zvogëlojnë çdo ditë e më shumë”, tha ai.

Sipas tij beteja me këtë mur ka qenë dhe mbetet një objektiv shumë i rëndësishëm, ndër objektivat më kryesorë të Partisë Demokratike.

“Pa vendosur barazinë midis burrit dhe gruas, vëllait dhe motrës, nënës dhe babait, shoqëria s’mund të jetë kurrë një shoqëri e drejtë, një shoqëri e parimeve dhe e idealeve të larta njerëzore”, u shpreh Berisha.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›