E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Jemi në një provë, në kilometrin e fundit kërkohet vendosmëria e grave

TIRANË, 8 mars /ATSH/ Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Lidhja Demokratike e Gruas në bashkëpunim me FRPD dhe Departamentin Brain Gain, organizoi sot një aktivitet në selinë e Partisë Demokratike për të nderuar dhe festuar rolin dhe kontributin e gruas në shoqërinë shqiptare.

Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha  se “kombi shqiptar, po tretet, po shkon drejt shuarjes të pashmangshme”.

“Dje ne kishim një takim për arsimin. Nga 801 mijë nxënës që kemi patur në arsimin parauniversitar në vitin 2013, në vitin 2025 kemi gjithsej 405 mijë fëmijë. Pra, në një hark kohor 11 vjeçar, ka një rënie prej 49.4%. Së bashku me këto, këta janë parauniversitarë, në tërësi dhe familjet shqiptare po kaq janë larguar. Pra ka një shuarje”, u shpreh Berisha.

Berisha tha se ‘ky është regjimi i mizogjenisë. Ky është regjimi i banditëve, të cilët nuk kanë norma’.

Sipas Berishës, PD do të bëjë “gjithçka për barazinë si dhe për të krijuar hapësira dhe mundësitë që ju të shpalosni të gjitha dhuntitë tuaja, të gjithë guximin, të gjithë fuqinë, të gjithë forcën krijuese tuaj”.

Berisha tha se vendi është në një moment kritik.

“Jemi në një moment kritik ku regjimi ka shpalosur para nesh duke sfiduar çdo qytetar shqiptar, egërsinë e pushtetit të tij. Ka vendosur të mbrojë vjedhjen e qytetarëve. Ka vendosur ta dekriminalizojë vjedhjen e qytetarëve nga pushtetarët”, tha ai.

Sipas Berishës qeveria po ndryshon ligjet për të mbrojtur veten.

“Ndaj dhe në kilometrin e fundit kërkohet forca e grave, energjia e tyre, guximi i tyre, vendosmëria e tyre. Ne jemi në një provë të vërtetë”, tha ai.

Berisha shtoi se “ne kemi patur dallgën jo në anën tonë, por ne jemi vetë dallga. Ne u provuam se ne jemi dallga dhe si e tillë ne, ne do t’u tregojmë, do t’i tregojmë vendin dhe këtij regjimi. Nuk ka të ardhme”.

Ai ftoi gratë demokrate që të vazhdojnë këtë betejë “këtë kryengritje paqësore me të cilën ne kemi, do të dënojmë për në kalendat e historisë, regjimin më të keq që kanë patur shqiptarët në tërë historinë e tyre”.

Sipas tij kjo betejë kundër kryeministrit Edi Rama, “është betejë për familjen shqiptare, e cila ka qenë shpëtimtare për kombin shqiptar dhe unë jam i bindur që këtë mision, vajzat dhe gratë shqiptare do ta përmbushin me dinjitet”.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›