E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Grupi parlamentar i PPE-së në Këshillin e Evropës u njoh me videot nga farsa e 11 majit

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se PD paraqiti sot në grupin parlamentar të Partisë Popullore një video në lidhje me “farsën elektorale të 11 majit”.

Berisha tha se “pamjet e paraqitura në tempullin, në grupin parlamentar të Partisë Popullore, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ishin shokuese për audiencën”.

“Sot në Këshillin e Evropës do të paraqitet nga kryetari i delegacionit të Këshillit Evropës, që vëzhgoi zgjedhjet, raporti i parlamentarëve Europianë, anëtarë të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, Simone Billi. Ky raport është diskutuar sot në grupet parlamentare dhe do të diskutohet në seancën plenare të kësaj asambleje, për të marrë formën përfundimtare.

“Zonja Albana Vokshi, e pranishme në grupin parlamentar të Partisë Popullore, paraqiti që në mëngjes një video shokuese, shokuese për audiencën, e cila tregoi se pse zgjedhjet në Shqipëri, ishin një farsë e tipit të Zimbabve të 30 viteve më parë”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës zgjedhjet “nuk kanë të bëjnë me zgjedhje, me standardet evropiane”.

Nga selia blu Berisha publikoi videon, ndërsa theksoi se “është dëshmi e një përpjekjeje të jashtëzakonshme që po bën opozita në luftën kundër farsës elektorale. E quajta të domosdoshme t’i njoh shqiptarët me përpjekjen e jashtëzakonshme që ne po bëjmë për t’i dëshmuar atyre dhe botës, farsën e turpshme të 11 majit.

Nuk mundet kurrë ndërgjegjja e një njeriu të pranojë këtë farsë. Por sido qoftë ne e bëjmë këtë si detyrim. Natyrisht përgjigja dhe zgjidhja është vetëm tek shqiptarët, në dorën e tyre”.

Berisha tha se qytetarët duhet të ngrihen për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore dhe të dalin kundër “një farsë të turpshme elektorale”.

Berisha tha se “Partia Demokratike kurrë nuk do t’i pranojë këto zgjedhje”.

/m.q//r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›