BERLIN – Merz: BE po i ndërlikon bisedimet me SHBA-në për tarifat

BERLIN, 23 qershor /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz i bëri thirrje sot Komisionit Evropian të miratojë taktika të ndryshme në negociatat e tij për tarifat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Bashkimi Evropian po i zhvillon bisedimet në një mënyrë që është shumë e komplikuar”, tha Merz në një takim në Berlin.
“Negociatorët amerikanë ishin të përqendruar në arritjen e marrëveshjeve në katër ose pesë industri të mëdha”, tha ai.
“Është koha dhe çështja e gabuar për të negociuar 400, 500 ose 600 kode të ndryshme tarifore me amerikanët”, tha Merz.
“Nevojiten vendime të shpejta të përbashkëta për katër ose pesë industri të mëdha”, tha ai, duke përmendur sektorin e automobilave, kimikateve, farmaceutikës dhe inxhinierisë mekanike si fusha me rëndësi ekzistenciale për Gjermaninë.
“Gjërat duhet të lëvizin më shpejt. Mbi të gjitha, duhet të jetë më e thjeshtë. Nuk mund të lejohet të jetë kaq e komplikuar”, tha kancelari.
Pas turbulencave në tregun financiar në përgjigje të njoftimit të tij fillestar, presidenti i SHBA-së Donald Trump vendosi një pezullim 90-ditor për vendosjen e disa tarifave për shumë vende – afati i së cilës përfundon më 9 korrik.
Duke folur në samitin e G7 në Kanada javën e kaluar, Merz shprehu besimin se BE mund të arrinte një marrëveshje tregtare me SHBA-në deri në atë datë, por jo për të gjithë sektorët.
Menjëherë pas marrjes së detyrës në janar, Trump njoftoi një sërë tarifash që synojnë korrigjimin e asaj që ai e sheh si çekuilibra tregtare dhe rikthimin e prodhimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. //a.i/