Berisha: Integrimi në vendnumëro, 9 vende kanë bllokuar miratimin e raportit IBAR

TIRANË, 4 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është në vendnumëro.
Sipas Berishës, në debatin për vlerësimin e standardeve dhe shtetit ligjor në Shqipëri, numri i vendeve kundërshtuese është rritur.
“Këtë ditë në Bruksel, në debatin që do zhvillohej për IBAR-in me Shqipërinë, nuk ishin më tre apo katër vende që kundërshtonin miratimin e vlerësimit të standardeve dhe shtetit ligjor në Shqipëri, por ato u bënë 9 vende që e kundërshtuan me shumë argumente dhe shumë çështje votimin e këtij raporti”, theksoi Berisha.
Berisha u shpreh se mungesa e një votimi unanim për raportin ndikon drejtpërdrejt në ecurinë e negociatave me BE-në, teksa shtoi se procesi mund të ketë edhe kthim prapa.
“Pa votimin unanim të këtij raporti, Shqipëria nuk mbyll asnjë kapitull, çka do të thotë procesi i integrimit për momentin është vendnumëro”, teksa shtoi se mund “të kthehet mbrapa me ndëshkime të rënda”.
Berisha u shpreh se herën tjetër do jenë 13 vende evropiane që do të bllokojnë rrugën e Shqipërisë drejt BE.
“Qëndrimi ynë është shumë transparent, ne jemi për procesin e integrimit, por deklarojmë se Shqipëria nuk plotëson absolutisht asnjë kriter përveç kriterit gjeostrategjik”, tha Berisha.
Kreu i PD-së theksoi se rruga e vetme mbetet revolta e qytetarëve, teksa shtoi se mazhoranca po bllokon komisionet hetimore.
“Ne do kërkojmë komisione hetimore, dhe një komision të tillë për AKSHI-n ne e kemi dorëzuar, sigurisht që do dorëzojmë edhe për kadastrën dhe për të gjithë problematikat e mëdha. Por e vërteta është, siç e dini ju, që ky siç përdori 83 mandatet si thika krimi për të bllokuar shtetin ligjor, i përdor ata për të bllokuar komisionet hetimore. Rruga e vetme mbetet revolta e fuqishme, kryengritja paqësore e mbarë shqiptarëve”, tha Berisha.
/m.q/ /a.g/