Berisha: Javën e ardhshme prezantojmë paketën për çmimin e karburanteve

TIRANË, 28 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha bëri të ditur sot se PD ka gati paketën për çmimin e karburantit, e cila do të prezantohet javën që vjen.
Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha ftoi shqiptarët të reagojnë ndaj rritjes së çmimit të naftës, që është një nga faktorët më ndëshkues të familjeve shqiptare.
“PD zotohet para shqiptarëve se, në Republikën e Shqipërisë nuk do të mund të shitet kurrë litër nafte më shtrenjtë se në Kosovë dhe në Maqedoni, ku çmimi është 60% më i ulët se në Shqipëri. Pra, ne e ndjekim me shumë shqetësim situatën. Ata që kanë vetura marrin naftën me çmim të njëjtë, ose dhe pak më të shtrenjtë se sa Zvicra dhe Suedia. Ndërkohë që rrogat në Zvicër dhe Suedi janë 6 herë më të larta se sa rrogat e tyre”, u shpreh ai.
Sipas tij, rritja e çmimit të naftës nuk ndikon vetëm tek ata që kanë vetura.
“Nafta ndikon nëpërmjet rritjes së çmimit të transportit tek çdo qytetar. Nafta nëpërmjet rritjes së çmimit të transportit, ndikon në çmimin e çdo produkti ushqimor dhe jo ushqimor që transportohet. Nafta ndikon në koston e çdo prodhimi bujqësor, për shkak se të gjitha imputet bujqësore kanë bazë naftën. Pra nafta është një ndëshkim mbarë qytetarë. Dhe unë ftoj qytetarët të ngrenë zërin e tyre, të ngrihen në revoltën e tyre”, u shpreh ai.
Berisha garantoi se PD do të vendosë atë regjim fiskal i cili bën të mundur që nafta në Shqipëri të shitet njëlloj si në Kosovë dhe Maqedoni e asnjë qindarkë më shtrenjtë.
“Kemi përgatitur paketën dhe javën që vjen e paraqesim edhe njëherë para publikut. Ekspertët dhe specialistët dhe deputetët tanë kanë punuar dhe do ju njohin me të. Por ama kjo kërkon edhe reagim qytetar. Kjo kërkon që para se të detyrohen të kalojnë te parmenda se nuk e prenoton dot traktorin apo autokombajnën, fermeri të dalë të bllokojë rrugët, qytetari të dalë me makinë e tij të bllokojë rrugët, të protestoje. Qytetari të protestojë për çmimet që rriten”, tha ai.
Berisha kërkoi reagim mbarëqytetar ndërsa shprehu bindjen se kjo do ndodhë.
/m.m/j.p/