E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Konsultohemi me aleatët për reformën territoriale, dalja nga institucionet i intereson vetëm Ramës

TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar, ku deklaroi se opozita do të konsultohet me aleatët për qëndrimin që do të mbajë lidhur me reformën territoriale.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se drafi i mazhorancës synon përqendrimin e mëtejshëm të pushtetit vendor.

Berisha tha se opozita u angazhua në procesin e reformës territoriale për shkak të kërkesave të qytetarëve dhe rekomandimeve të Komisionit Evropian.

Sipas tij, mazhoranca ndërpreu konsultimet dhe paraqiti një draft me 46 bashki teksa shtoi ndryshimet janë bërë për interesa elektorale.

“Paraqiti draftin me 46 bashki duke hequr edhe 15 të tjera, që të gjitha për qëllimet e tij elektorale. Ne paraqitëm një draft prej 100 bashkish, duke lënë të hapur edhe mundësinë e krijimit të njësive të tjera, në varësi të plotësimit të kritereve për ekzistencën e tyre”, tha ai.

Kreu i PD tha se projektligji i propozuar nga PS është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me parimet e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore.

Berisha tha se opozita ka depozituar në Kuvend projektin e saj për 100 bashki, por pret që ai të refuzohet nga shumica socialiste.

Gjithashtu, Berisha u ndal edhe tek protestat e zhvilluara në disa bashki kundër ndryshimeve.

“Janë një numër bashkish që janë ngritur në protesta, në disa prej tyre as këshilltarët e tij nuk kanë pranuar të votojnë për shuarjen e bashkive”, tha ai.

Më tej në fjalën e tij, Berisha tha se opozita duhet të vijojë betejën brenda institucioneve, teksa theksoi se dalja e saj jashtë institucioneve i intereson vetëm mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama.

“Braktisja e institucioneve është interesi më i mirë i diktaturës. Kemi të bëjmë me një njeri që e do me çdo kusht opozitën jashtë institucioneve”, tha ai.

Sipas Berishës, “rruga e vetme është protesta për largimin e tij”, teksa shtoi se opozita nuk duhet të presë që ndryshimi të vijë nga institucionet e drejtësisë.

“Të presësh se atë do ta largojë SPAK-u, nuk e largon kurrë, nuk i afrohet dot kurrë. Të gjitha këto që i bën tani ai, i bën vetëm për veten e tij. Edhe ligjet që i paraqiti për të ndryshuar, vetëm për veten e tij”, u shpreh Berisha.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›