E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale janë amnisti për krimet zgjedhore

TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se opozita do t’i përgjigjet me protesta çdo tentative për miratimin e reformës territoriale dhe asaj zgjedhore pa konsensusin e opozitës.

I pyetur se cila do të jetë strategjia e PD-së nëse këto reforma miratohen pa dakordësinë e opozitës, Berisha u përgjigj “protestë, protestë dhe vetëm protestë”.

Sipas tij, procesi zgjedhor në Shqipëri është i kapur, ndërsa ndryshimet e fundit ligjore të propozuara nga qeveria në Kodin e Procedurës Penale janë amnisti për krimet zgjedhore.

“Faktikisht, zgjedhjet janë të kapura, tërësisht. Ndryshimet e reja ligjore që ka sjellë Edi Rama në Kodin e Procedurës Penale janë ndër të tjera amnisti për të gjitha krimet zgjedhore”, deklaroi Berisha.

Berisha tha se kryeministri Edi Rama synon të ruajë kontrollin mbi proceset zgjedhore.

“Edi Rama kapjen e zgjedhjeve dhe shndërrimin e tyre në farsë, e ka të një rëndësie jetike, vendimtare për fatin e tij. Ne do ftojmë shqiptarët t’i japin fatin që meriton. Ky do jetë qëndrimi ynë”, përfundoi Berisha.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›