E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Kur humba një palë zgjedhje që nuk ishin farsë, dhashë dorëheqjen

TIRANË, 27 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha sot, në një deklaratë për mediet, se nuk e jep dorëheqjen pasi zgjedhjet parlamentare “ishin një farsë elektorale”.

Duke iu referuar vitit 2013 kur u largua nga drejtimi i Partisë Demokratike pasi humbi zgjedhjet parlamentare, Berisha tha se e ka faktuar se kur humbi një palë zgjedhje që nuk ishin farsë, ka dhënë dorëheqjen.

“Unë kam menduar dhe e kam bërë realitet atë. Unë e kam bërë realitet. Kjo pyetje nuk më shtrohet mua dot, se unë kur humba një palë zgjedhje që nuk ishin farsë, unë dhashë dorëheqjen. Dhe një i ri erdhi pas meje. Nuk e zgjodha unë atë, atë e zgjodhi anëtarësia e PD. Pasi u zgjodh, unë e mbështeta, sepse unë isha thjesht një anëtar partie luajal i forcës time politike.

“Por nuk mund të mos thuash se nuk ishte i ri. Ishte i ri. Është tjetër problem se çfarë përfaqësimi bëri ai për gjeneratën e vet. Nuk ishte përgjegjësia ime ajo. Të tjerë ka me mijëra, sepse unë kurrë nuk besoj në të pazëvendësueshëm. Por pyetja që më bëtë, unë jam njeriu që e kam provuar dhe e kam faktuar. Dhe kam vepruar shumë drejt. Unë nuk udhëhiqem nga paragjykimi. Mendova se një gjeneratë e re do ishte një shans i madh për forcën politike”, u shpreh Berisha.

I pyetur për drejtuesin e fushatës politike të Partisë Demokratike Chris LaCivita, Berisha tha se ai drejtoi fushatën më të suksesshme në histori, por farsat elektorale nuk fitohen kurrë nga opozita.

“Edhe një herë, kontraktimi i Chris LaCivita, yllit të suksesit botëror elektoral, bashkëkryestrategut të rikthimit më të fuqishëm në historinë e njerëzimit, presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, mendoj se ishte akti më i mirë dhe më i rëndësishëm që bëri PD.

“Këshilltari elektoral merret si një garant i bashkëkohësisë së fushatës. Dhe unë besoj se ai drejtoi fushatën më të suksesshme në histori dhe ai solli ekspertizën e tij, solli vlerësimet e tij. Në këtë farsë elektorale, ne patëm ekspertizën më të mirë dhe bëmë fushatën më të mirë të jetës sime. Paraqitëm programin më transformues, por asnjë nga këto nuk mjaftonte për të bërë fituese opozitën në një farsë elektorale”, tha Berisha.

I pyetur në lidhje me pagesën për LaCivita, Berisha tha se “do jetë transparente në afatin që përcakton ligji”.

“Ka një ligj zgjedhor, i cili detyron forcat politike që të gjitha shpenzimet për fushatën, do t’i bëjnë në këtë datë dhe ai do zbatohet”, tha Berisha.

Kreu i PD u shpreh po ashtu se edhe në parlament opozita do të “denoncojë farsën elektorale të majit 2025”.

“Opozita në parlament do të denoncojë farsën elektorale të majit të 2025-s. Tani për opozitën tema qendrore është farsa elektorale dhe narkodiktatori që organizoi farsën. Është e përqendruar totalisht në këto”, u shpreh Berisha.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›