Trajnime për 160 mjekë e infermierë në 16 bashki në Shqipëri

TIRANË, 27 maj/ATSH/ Fondacioni Zviceran për Inovacion dhe qendra Emergency Response Albania (ERA) ka zhvilluar trajnime për shërbimet e urgjencës mjekësore në bashkitë e vendit.
Ambasada e Zvicrës në Tiranë në një postim në rrjetet sociale bëri të ditur se “ERA po ofron kapacitete dhe protokolle të avancuara për reagim ndaj urgjencave për 160 mjekë dhe infermierë nga 16 bashki të ndryshme në Shqipëri”.
Në një nga trajnimet e organizuara ishte e pranishme edhe ambasadorja e Zvicrës, Ruth Huber, e cila tha se “është thelbësore që njerëzit të marrin ndihmë dhe përgjigje ndaj urgjencave sa më shpejt të jetë e mundur dhe sa më afër vendit ku është e nevojshme”.
Mjekët dhe infermierët u trajnuan mbi aftësitë e urgjencës mjekësore, për shpëtimin e jetëve të qytetarëve.
Emergency Response Albania është një qendër që trajton situata emergjence dhe aksidente në nivel paraspitalor. Ajo u ngrit në 2012 nga Fondacioni Zviceran për Inovacion me qëllim që të ofrojë shërbime të emergjencës të klasit më të lartë për rastet e aksidenteve dhe situatave me kërcënim për jetën. Ajo synon të fuqizojë dhe të përmirësojë shërbimet e emergjencës mjekësore në Shqipëri dhe të shpëtojë jetë në raste sëmundjesh, plagosjesh apo fatkeqësish.
Stafi është me kualifikim të lartë dhe trajnohet dhe përditëson njohuritë vazhdimisht përmes ekspertizës nga SHBA, Zvicra dhe Gjermania. ERA e ofron shërbimin për shpëtimin e jetëve për të gjithë dhe falas bazuar në dhurime vullnetare. Fondacioni Zviceran për Inovacion është një organizatë jofitimprurëse e cila zbaton aktivitete që nga viti 1991.
1 nga 5/k.s/a.f/r.e/