Berisha: Më 8 maj të ngrihemi në protestë paqësore

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ishte sot në një bashkëbisedim me qytetarë të Tiranës në zonën e Astirit.
Gjatë takimit, Berisha u bëri thirrje të gjithë demokratëve dhe qytetarëve që të bashkohen në protestën e datës 8 maj.
“Qytetarët e Astirit, simbol frymëzimi për çdo qytetar në qëndresën dhe betejën e tyre për dinjitet, për nder dhe për të drejtën e vet. Ju, në një kohë shumë të vështirë, kur regjimi ngjitej drejt majave të pushtetit dhe opozita zvarritej në batakun e tij, qëndruat të pamposhtur. Shënuat rekord në protestën tuaj, së bashku me Klevis Balliun, për të drejtat që shkelmonte një regjim armiqësor, banditesk, pa ligj e pa moral.
Ato ishin kohë të vështira, kur zëri juaj përpiqej të shuhej dhe opozita të mos ekzistonte. Por ju qëndruat. Ndaj them se ju jeni frymëzim i qëndresës qytetare dhe meritoni nderimin më të madh nga të gjithë qytetarët e Tiranës”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së kujtoi edhe premtimet e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke deklaruar, “ku është sot ai që ju thoshte se kishte mbjellë 1 milion pemë, pasi kishte vjedhur fondet e 1 milion fidanëve? Ju qëndruat në një betejë të vështirë, të lodhur e të dëshpëruar, por nuk u dorëzuat. Qëndresa në opozitë është mision. Nuk ka mision më fisnik për njeriun. Demokratët nuk u tërhoqën. Dhe ne arritëm shumë. Jemi në kilometrin e fundit”.
Sipas Berishës, rruga mbetet e vështirë, por ai theksoi se kryeministri Edi Rama është “i pashpresë”.
“Ne do ta përfundojmë këtë rrugë, për sakrificën tonë, për fëmijët tanë dhe të ardhmen e tyre, për dinjitetin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë. 8 maji është dita jonë. Në rrugët dhe sheshet e Tiranës do t’u themi shqiptarëve se zotët e Shqipërisë jemi ne, jo banda në pushtet. Do t’i themi Evropës dhe botës se vlerat dhe të drejtat kanë një avokat të pamposhtur, që jemi ne. Jemi të vendosur ta vazhdojmë betejën deri në rikthimin e tyre. Dhe të gjithë në datën 8 maj, të ngrihemi madhërishëm, në protestën tonë paqësore, në të drejtën tonë për dinjitetin tonë, për dinjitetin e kombit tonë, për dinjitetin e vendit tonë”, tha Berisha.
/a.f/r.e/