Ndarja nga jeta e Servet Pëllumbit, Rama: Lamtumirë profesor i dashur

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama shprehu sot keqardhjen për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi.
“Lamtumirë profesor i dashur”, shkruan Rama, duke shpërndarë një foto të ish-kryeparlamentarit Servet Pëllumbi.
Ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi, u nda sot nga jeta në moshën 89-vjeçare.
Pëllumbi ishte një nga themeluesit e Partisë Socialiste dhe ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në zhvillimet politike përgjatë viteve të demokracisë. Pëllumbi ka shërbyer si Kryetar i Kuvendit nga viti 2002 deri në vitin 2005. Ai ka luajtur një rol kyç në transformimin e PS-së gjatë viteve ’90.
I lindur në Korçë, ai ndoqi studimet e larta në Universiteti i Shën Petersburgut, ku u titullua doktor i shkencave në letërsi. Karrierën e nisi në fushën akademike si pedagog në Institutin Pedagogjik të Korçës gjatë viteve 1960–1963, duke vijuar më pas në mësimdhënie deri në vitin 1977. Më tej, u përfshi në strukturat drejtuese të Partia e Punës e Shqipërisë, ndërkohë që ushtroi edhe detyrën e pedagogut në Universiteti i Tiranës. Me fillimin e ndryshimeve demokratike në vitin 1990, Pëllumbi u emërua nënkryetar i Partisë Socialiste, detyrë që e mbajti deri në vitin 1996. Ai luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e fushatave politike të socialistëve, përfshirë kundërshtimin e referendumit për Kushtetutën, si dhe angazhimin për lirimin e Fatos Nano. Pëllumbi mbahet mend si një ndër deputetët më jetëgjatë të Kuvendit të Shqipërisë, me një kontribut të vazhdueshëm në jetën parlamentare dhe në komisionet kryesore të tij. Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje të rëndësishme për politikën shqiptare dhe për historinë e tranzicionit demokratik në vend./k.s/r.e/a.f/