E Premte, 6 Nëntor 2026

Berisha: Mediet kombëtare janë shndërruar në prokurorë të qeverisë kundër opozitës

TIRANË, 12 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se, shqiptarët sot përjetojnë agresionin më të rëndë të mashtrimit njerëzor.

Në fjalën e tij në tubimin poshtë dritares së shtëpisë së tij ku po vuan masën e “arrestit të shtëpisë”, Berisha deklaroi se, “ky agresion udhëhiqet direkt nga Kryeministri Edi Rama dhe zyra e tij, i cili në njërën anë shpërndan çdo sekondë me mjetet e propagandës qindra mashtrime e gënjeshtra për qytetarët, nga ana tjetër mbulon, fsheh, maskon me censurën e zezë të saj të vërtetat e hidhura, përjetimet e hidhura ndaj qytetarëve shqiptarë. Censuron në mënyrë të egër opozitën, përpjekjet e saj për t’u paraqitur qytetarëve të vërtetat”.

Berisha nënvizoi se, “enti i vëzhgimit të medieve audiovizive është shndërruar sot në entin e turpit kombëtar, e censurës kombëtare”.

Sipas tij, opozitës i deformohen mesazhet, i fshihen mesazhet, i përmblidhen mesazhet vetëm e vetëm që të mashtrohen qytetarët.

Berisha gjithashtu sulmoi mediat kombëtare, të cilat theksoi kreu i PD, “janë shndërruar, jo vetëm në censorë kombëtarë, por edhe në prokurorë të qeverisë kundër opozitës”.

“Mediat kombëtare private dhe publike, se tani nuk i njeh më se çfarë janë, nga mëngjesi gjer në darkë janë shndërruar në altoparlantë të qeverisë, në institucione të dezinformimit masiv”, tha Berisha.

“Mediat e censurës kombëtare, mediat e lustrës kombëtare, nuk arrijnë kurrë t’u thonë shqiptarëve të vërtetat e tyre. Nuk flasin njëherë për pensionistët. Nuk tregojnë njëherë të vetme se ata pensionistë marrin një pension tre herë më të vogël se në Maqedoni, se në Serbi, se në Mal të Zi, se në Kosovë 60 për qind më të vogël. Ndërkohë që 11 vite më parë, ata qëndronin në krye për pensionet e tyre”, tha Berisha.

Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të përdorin rrjetet sociale.

“Përdorni me të gjitha mënyrat rrjetet sociale, të krijoni portale që janë shpatat e anticensurës. Ktheni kokën kur dëgjoni lajmet e tyre sepse janë megafonë mashtrimi të Edi Ramës. Lajmet i merrni nga rrjetet sociale dhe televizionet që i qëndrojnë besnikë të vërtetës”, tha Berisha.

“Kjo ndodhi në SHBA, por presidenti Trump me flamurin e të vërtetës ngadhënjeu mbi të gjitha mediat kryesore dhe pushtoi mendjet dhe zemrat e qytetarëve amerikanë, realizoi rikthimin më të jashtëzakonshëm me votën e lirë të të gjitha kohërave. Ndaj dhe sa rrini dhe mbani kokën drejt ekranit me lajmet e medieve kombëtare, uluni dhe shkruani statuse, shkruani lajme në FB, u përcillni të vërtetat njëri-tjetrit në Twitter, Instagram, TikTok”, theksoi Berisha. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›