E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Mediet private në Shqipëri, më të kapurat në Evropë

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se mediet që sulmojnë vazhdimisht opozitën paraqiten nga Edi Rama si medie “proopozitare”.

Në një konferencë për medie, Berisha reagoi pas deklaratave të bëra më herët nga Kryeministri Edi Rama, lidhur me gjendjen e medieve në Shqipëri.

Sipas Berishës, Rama po përdor në mënyrë të qëllimshme një studim për të krijuar perceptimin se mediet shqiptare janë të kontrolluara nga opozita, ndërsa sipas tij realiteti është krejt i kundërt.

“Edi Rama para pak kohësh me paturpësi ekstreme u paraqit para shqiptarëve dhe opinionit ndërkombëtar si qeveri e një vendi në të cilin mediet ishin të kapura nga opozita. Ai iu referua një studimi që provon absolutisht të kundërtën në raport me opozitën dhe provon tiraninë e medieve të kontrolluara nga Rama ndaj opozitës”, u shpreh Berisha.

Berisha theksoi se studimi që citon Rama nuk mat kapjen e medieve, por vetëm frekuencën e përmendjes së aktorëve politikë në lajme dhe emisione.

“Kapja e medieve ka treguesit e vet dhe nuk ka medie më të kapura në Europë se mediet private në Shqipëri. Raportet e pavarura kanë treguar se 90 deri në 93 për qind e medieve kontrollohen nga qeveria dhe janë në funksion të saj”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij, Berisha ironizoi rezultatet e raportit, duke theksuar se sipas metodologjisë së përdorur, edhe media që sipas tij sulmojnë vazhdimisht opozitën rezultojnë të klasifikuara si “proopozitare”.

“Pra, mediet që sulmojnë më shumë opozitën nga mëngjesi gjer në darkë, mediet që unë i kam denoncuar para jush shumë kohë përpara, vlerësohen nga Edi Rama si medie proopozitare me në krye Ymer Bazen dhe Karlo Bolinon”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së e cilësoi këtë si një përpjekje për të mashtruar opinionin publik vendas dhe ndërkombëtar. “Shikoni se si Edi Rama, duke paraqitur proopozitar Ymer Bazen, Karlo Bolinon e të tjerë, kërkon të mashtrojë shqiptarët dhe botën”, tha ai.

Berisha u ndal edhe te protestat qytetare në Tiranë, duke i cilësuar ato si lëvizjen më të madhe rinore që ka njohur vendi.

“Gjej rastin edhe një herë të përshëndes përzemërsisht protestën qytetare rinore, më madhështoren që ka njohur Shqipëria në historinë e vet. Edi Rama po mban qëndrime tipike të një diktatori autoritar ndaj protestës. Me asgjë nuk do mund të ndalojë atë protestë dhe me asgjë nuk do mund të parandalojë fundin e tij të shpejtë”, deklaroi Berisha.

Sipas liderit demokrat, protesta qytetare do të vazhdojë deri në arritjen e objektivave të saj dhe se “protesta rinore qytetare do të triumfojë”.

/m.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›