Deputetët e PD në PE takime me raportuesit për Shqipërinë

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deputetja Jorida Tabaku dhe nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj ndodhen në Strasburg, ku pritet të diskutohet dhe miratohet në seancë plenare të Parlamentit Europian raporti për Shqipërinë.
Gjatë vizitës së tyre, deputetët demokratë janë takuar me raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, si dhe bashkëraportuesin e Partisë Popullore Europiane, Andrey Kovatchev.
Në një deklaratë për shtyp, përfaqësuesit e PD-së vlerësojnë se raporti për Shqipërinë dhe mbi 300 amendamentet e paraqitura në të tregojnë se çështjet që lidhen me zgjedhjet, shtetin e së drejtës, korrupsionin dhe krimin e organizuar mbeten shqetësime serioze për institucionet europiane.
Sipas tyre, numri i lartë i amendamenteve reflekton vëmendjen e shtuar të Parlamentit Europian ndaj situatës politike dhe institucionale në Shqipëri, veçanërisht në fushat e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe funksionimit të shtetit të së drejtës.
Në qëndrimin e tyre, deputetët demokratë theksojnë gjithashtu se raporti ngre çështje që lidhen me ligjet për investimet strategjike dhe zonat e mbrojtura, të cilat sipas tyre kanë qenë objekt shqetësimi të vazhdueshëm nga institucionet europiane.
Sipas tyre, ky raport është një pasqyrë e qartë e problemeve që duhen adresuar, një plan pune për ta afruar Shqipërinë me standardet europiane dhe një thirrje për të dëgjuar zërin e qytetarëve shqiptarë.
/gj.m/a.f/r.e/