E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Minimumi jetik 200 euro, përgjigje emergjente kundër varfërisë

TIRANË, 27 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se duhet vendosur urgjentisht minimumi jetik 200 euro dhe duhet rritur vit pas viti sipas dinamikave për të zhdukur varfërinë ekstreme.

Në një takim me Departamentin e Çështjeve Sociale në PD, Berisha theksoi se Shqipëria është pa minimum jetik, ndërsa qytetarët përballen me një krize të rëndë si pasojë e korrupsionit.

“Shqipëria ka një situatë dramatike në raport me shpërndarjen e të ardhurave, në raportin e rrogave me çmimet dhe është vendi i vetëm që nuk ka të përcaktuar një minimum jetik.
Ndërkohë, çmimet në këtë vend janë 10-20% më të larta sesa mesatarja e çmimeve në vendet e Bashkimit Europian”, u shpreh Berisha.

Berisha u ndal edhe te rënia e euros, ndërsa theksoi se “Shqipëria është i vetmi vend në Europë, në të cilin euroja ka pësuar një zhvlerësim dramatik prej 35 për qind, ndërkohë që në çdo vend tjetër ka shkuar duke u rritur lehtësisht”.

“Në këto rrethana, PD ka shpallur dhe qëndron për vendosjen e minimumit jetik. Minimumi jetik është përgjigjja më minimale, më e domosdoshme, më emergjente ndaj kësaj situate të krijuar këto 13 vite. Vetëm me minimumin jetik, duke garantuar për çdo qytetar të këtij vendi jo më pak se 200 euro, do mund të ndryshohet situata e dhimbshme në të cilën ndodhemi sot”, tha Berisha.

Sipas tij, “nuk ka asnjë pengesë për vendosjen e minimumit jetik”.

“Minimumi jetik nuk mund të jetë përgjigjja e vetme ndaj kësaj situate. Minimumi jetik do shoqërohet me një seri masash të tjera sociale, të cilat garantojnë shqiptarët një jetë në minimumin e saj të mjaftueshëm për ushqimin, veshjet, ilaçet, lëvizjen. Pra, është një përgjigje emergjente, e cila duhet të vendoset sa më parë dhe duhet të njohë dinamikën e vet dhe të rritet vit pas viti, të ndjekë të gjithë treguesit në mënyrë që varfëria ekzistuese të marrë një përgjigje përfundimtare”, theksoi Berisha.

Sipas tij, programi i PD-së parashikon që minimumi jetik të shoqërohet edhe me një rritje të madhe të rrogave dhe pensioneve.

“Minimumi jetik i jep një përgjigje gjithashtu përjashtimit real të shqiptarëve nga shoqëria.
Ne qëndrojmë të vendosur për të përmbysur këtë shpërndarje të ardhurash dhe e konsiderojmë emergjencë vendosjen e minimumit jetik”, theksoi Berisha.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›