Berisha: Na duhet front i gjerë opozitar kundër këtij regjimi

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një dëgjesë publike me partitë opozitare, aktorë të shoqërisë civile, përfaqësues të sindikatave, organizatave, medias dhe intelektualë publikë, për të bashkërenduar aksionin opozitar kundër qeverisë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha e konsideroi takimin “një moment përcaktues për të ardhmen e vendit dhe të shoqërisë tonë” dhe shprehu bindjen se “përfundimi i këtij takimi me një front të përbashkët në këto kohë kritike që kalon Shqipëria është përgjigjja më e duhur, është përgjegjësia më e vërtetë që ne marrim në këto momente para vendit dhe kombit tonë”.
Sipas Berishës “narkoshteti shqiptar është kthyer sot në rrezik për Evropën”.
“Sot Shqipëria, vendi ynë i dashur, vlerësohet si një rrezik, si një narkoshtet, rrezik për Evropën. Ky narkoshtet u krijua nga qeveria aktuale dhe Edi Rama për qëllimet më ogurzeza ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Shqipëria zyrtare është sot koka e karteleve më të fuqishme të drogës në Evropë për dy arsye. Së pari, sipas OKB, Shqipëria është eksportuesi kryesor i kanabisit në BE. Së dyti, zhvillimet e këtyre dy viteve të fundit kanë faktuar në mënyrë të pakundërshtueshme se trafikantët shqiptarë, kartelet shqiptare të kokainës përcaktojnë çmimin e këtij helmi në Evropë”, tha Berisha.
Sipas Berishës “ministrat, drejtori i përgjithshëm i policisë, drejtorë agjencish, janë që të gjithë të lidhur këmbë e xhep me klanet e drogës”.
“Ky vend ka sot treguesin e ndërtimit 300 përqind më të lartë se mesatarja e BE. Çmimet janë stratosferike, ndërtimet nuk kanë të ndalur. Pa llogaritur këtu me mijëra ndërmarrje eksporti, që të gjitha punojnë me euro, falimentuan. Sot shqiptarët kanë treguesin e lindshmërisë në botë për shkak të emigracionit, sipas OKB. Kombi është në rrugën e zhdukjes”, tha Berisha.
Në mbledhjen e zhvilluar të premten nuk ishin të pranishëm përfaqësues të disa partive opozitare, si Partia “Mundësia”, Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, si dhe “Lëvizja Bashkë”. Të tria këto forca politike kanë bërë publike arsyet e refuzimit për t’u ulur në tryezën e frontit opozitar.
/m.q/a.f/