Grabiti marketin në Tiranë, arrestohet 40-vjeçari

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Policia e Tiranës, arrestoi një 40-vjeçar pasi dyshohet si autor i grabitjes së një marketi një ditë më parë në zonën e Yzberishtit në Tiranë.
Policia njoftoi sot se “në vijim të veprimeve intensive hetimore të kryera për zbardhjen e vjedhjes së kryer dje, në kërcënimin e thikës, në një market në Yzberisht, organizuan dhe finalizuan operacionin policor “Intervent””.
“Si rezultat i operacionit u identifikua, u kap në Rrugën e Qelqit dhe u vu në pranga autori i dyshuar i vjedhjes, shtetasi E. T.(T), 40 vjeç, banues në Tiranë”, njoftoi policia.
Sipas policisë punonjësja e marketit që u dëmtua në dorë, nga thika që mbante autori, në tentativë për ta ndaluar atë, mori mjekim dhe u largua nga spitali.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/m.q/a.f/