E Diel, 1 Nëntor 2026

TURQI – Shefi i arbitrave të futbollit dhe katër të tjerë arrestohen për korrupsion

STAMBOLL, 3 tetor /ATSH-DPA/ – Pesë nga shtatë të dyshuarit, mes tyre edhe kreu i organit të arbitrimit të futbollit në Turqi, janë arrestuar në kuadër të një hetimi për korrupsion, njoftoi sot agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu.

Të dyshuarit akuzohen, ndër të tjera, për falsifikim të dokumenteve zyrtare, shpërdorim besimi dhe përvetësim të paligjshëm të të dhënave personale, sipas raportit.

Komiteti Qendror i Arbitrimit (MHK) është organi i Federatës Turke të Futbollit (TFF) që klasifikon dhe cakton arbitrat për ndeshjet e kampionatit, si dhe vlerëson performancën e tyre.

Vendimet e tij janë prej kohësh objekt kritikash nga klubet dhe tifozët turq, të cilët shpesh vënë në pikëpyetje caktimin e arbitrave.

Një gjykatë në Stamboll urdhëroi arrestimin në pritje të gjykimit të kreut të MHK-së, Ferhat Gundogdu, të kreut të Komitetit Provincial të Arbitrave të Stambollit, Emre Kosif, si dhe të tre personave të tjerë.

Dy të dyshuarit e tjerë u lanë të lirë nën masa të kontrollit gjyqësor, shtoi Anadolu.

Policia kishte kontrolluar më herët disa adresa në Stamboll, Ankara dhe dy qytete të tjera, pas shqyrtimit të informacioneve të disponueshme publikisht, të dhënave financiare, regjistrave telefonikë, dëshmive të dëshmitarëve dhe konstatimeve të ekspertëve.

Në kuadër të hetimit raportohet se janë ndaluar gjithashtu arbitri i Superligës Yasin Kol dhe arbitri ndihmës Goktug Hazar Erel.

Arrestimet vijnë një vit pasi TFF pezulloi 149 arbitra nën akuzën e përfshirjes në baste të paligjshme.

Sipas raportimeve, dy çështjet nuk konsiderohen të lidhura me njëra-tjetrën.

Federata Turke e Futbollit nuk ka komentuar ende arrestimet. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›