E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Ne mbështesim protestat për Zvërnecin, por nuk marrim autorësi

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi sot jashtë ambienteve të Kuvendit çështjen e zhvillimeve në Zvërnec dhe protestat qytetare.

I pyetur për thirrjet e disa protestuesve pranë selisë së PD-së, të cilët akuzuan opozitën si të “shitur”, Berisha tha se çdo qytetar ka të drejtë të shprehë mendimin e tij.

“Absolutisht çdo protestues ka të drejtë të thotë ç’të dojë dhe askush nuk i ndërhyn.  Natyrisht nga protestuesi, qytetari i lirë dhe opozitarët e opozitës, këta të fundit janë shërbëtorë të qeverisë dhe kjo është tjetër. Pra, çdo qytetar i lirë në opozitë ka të drejtë të hedhë sloganin që do, çfarë mendon, çfarë thotë. Kurse tipat e stisur si opozitë e opozitës, ata janë mjerimi i politikës”, tha ai.

Duke komentuar kundërshtimet ndaj projekteve të zhvillimit në zonën e Zvërnecit, Berisha tha se dallimi mes opozitës dhe qeverisë qëndron te respektimi i standardeve dhe transparencës. Ai deklaroi se çdo zhvillim duhet të realizohet vetëm në përputhje me direktivat mjedisore të Bashkimi Evropian dhe me rregullat e programit Natura 2000.

“Transparenca është zero. Nëse zhvillimi lejohet nga vlerësimet mjedisore sipas direktivave europiane, atëherë mund të vazhdohet. Nëse treguesit nuk e lejojnë, projekti nuk duhet të realizohet”, tha Berisha.

Kreu i PD-së tha se opozita mbështet protesta, po nuk merr autorësi.

“Atëherë ne e kemi shprehur: respektojmë të drejtën e çdo qytetari për protestë. Por nuk jemi ata ne që të marrim protestën e tjetrit. Atë s’e bëjmë kurrë! Ka një moral”, tha kreu i PD-së.

“Edhe ne, në çdo rast, ti nuk na ke parë ndonjëherë të dalim, absolutisht, mbështesim çdo protestë të çdo qytetari, por ne autorësi nuk i marrim kujt. Se kjo është amorale. Po e ndjekim, në qoftë se ky shkon e i bën antimiting në Vlorë, ai do përballet me ne atje. Se kjo është vija e kuqe”, tha Berisha.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›