E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Zero transparencë për projektin në Zvërnec, asnjë studim mjedisor nuk është bërë publik

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se proceset e dhënies së lejeve dhe qartësimit të pronësisë në Zvërnec, janë kryer pa transparencë dhe pa informacion të plotë publik.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha tha se qeveria se nuk ka bërë publik studimet mjedisore dhe dokumentet strategjike të nevojshme për ndërhyrje në zona të mbrojtura.

“Merrni pak revoltën qytetare. Në bazë të saj qëndron mungesa absolute e transparencës. Zero transparencë. Në një aferë e cila, siç e shihni, është bërë botërore. Si ka mundësi që asnjë deputet, asnjë qytetar i Vlorës apo i Shqipërisë nuk dinë absolutisht asgjë për këtë investim disamiliardësh? Po le të marrim pak nga ana qeveritare, shtetërore. Kur një qeveri pranon një projektide të një investitori të huaj, nuk mund t’i japë kurrë leje zhvillimi pa qartësuar pronësinë në çdo metër katror. Dhe çfarë del tani? Qartësimi i pronësisë”, tha Berisha.

“Kur një qeveri vendos për të mbështetur një investim në një zonë të mbrojtur, qeveria shpall parimet. Shpall parimet mbi të cilat e bazon mbështetjen. Dhe ato parime janë të stipuluara në direktivën e Komisionit Europian Natura 2000. Dhe pastaj nëndirektivat që kanë ardhur në vite. A keni parë ju ndonjë studim të mjedisit? Ndonjë studim strategjik të mjedisit? Zero keni parë. S’ka transparencë, zero”, tha Berisha.

Berisha kërkoi që qeveria të paraqesë më shumë transparencë mbi projektet e zhvillimit, dokumentacionin mjedisor dhe konsultimet publike me ekspertë dhe banorë lokalë, duke argumentuar se mungesa e tyre përbën, sipas tij, problem serioz institucional.

“Keni parë ju një direktivë çfarë do ndërtohet, sa kate do jenë ato që do ndërtohen, me çfarë materiale do ndërtohet, çfarë habitati do preket, si ky habitat do kompensohet? Dhe a lejohet apo s’lejohet nga direktiva Natura 2000? Se në qoftë se s’lejohet, absolutisht do t’i vësh drynat Brukselit, se nuk pranohesh. Sepse pasuria natyrore e një vendi është pasuri e Europës”, vijoi ai.

“Zonat e mbrojtura të një vendi janë për vendin, por për mbarë Europën. Dhe ato kanë një ligj shumë të fortë. Deklaroi se është bërë një konsultë me profesorë, me akademikë, me ekspertë. Dakord. Nuk them që s’është bërë, mund të jetë bërë. Po e dini ju që krahas profesorëve, krahas akademikëve, janë dhe ca të tjerë aty që kanë akademinë e shekujve. Janë ca banorë aty, janë ca fshatarë, që i kanë mbjellë rrënjë për rrënjë ato ullinj?!”, tha Berisha.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›