E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Nisim diskutimin e programit politik, përgjigje problemeve kryesore të vendit

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot takim me Departamentin e Infrastrukturës, ku deklaroi se opozita po nis një diskutim të gjerë për programin politik me të cilin synon t’u japë përgjigje problemeve kryesore të vendit.

Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se procesi i diskutimit të programit do të jetë intensiv dhe i fokusuar në sfidat me të cilat përballet Shqipëria.

Berisha deklaroi se opozita ka nisur diskutimin për programin politik duke u fokusuar fillimisht në sektorin e infrastrukturës, të cilin e konsideroi një nga fushat ku, sipas tij, janë kryer abuzimet më të mëdha me fondet publike.

Ai shtoi se opozita duhet të përgatitet seriozisht për të adresuar problematikat që, sipas tij, janë krijuar gjatë 12 viteve të qeverisjes.

“Por këto zhvillime kërkojnë që PD dhe opozita të përgatiten në mënyrën më serioze për problematikat e mëdha të krijuara nga një regjim 12-vjeçar. Ne e filluam këtë debat dhe përgatitjen e programit tonë me infrastrukturën”, tha Berisha.

Sipas Berishës, zhvillimet e fundit politike dhe vendimet e ndërmarra nga qeveria kanë cenuar, sipas tij, funksionimin e drejtësisë dhe legjitimitetin e qeverisjes.

“Në infrastrukturën dhe punët publike të këtij vendi janë bërë vjedhjet më të paimagjinueshme. Në 12 vite janë investuar mbi 12 miliardë euro”, theksoi Berisha.

Ai përmendi disa projekte infrastrukturore, duke pretenduar se në to ka pasur shpërdorim të fondeve publike.

Sipas tij, problematika shtrihet edhe në investimet në shkolla, ujësjellësa dhe sistemet e vaditjes.

“Tek shkollat e ndërtuara që nuk kanë asnjë nxënës, tek sistemet e ujësjellësve ku janë investuar qindra milionë pa shtuar një litër ujë për banorët, apo tek sistemi i vaditjes ku nuk janë ndërtuar kanale të reja, por vetëm janë mbushur ato ekzistuese”, u shpreh ai.

Berisha solli në vëmendje edhe projektin e hekurudhës Tiranë-Durrës.

“Kanë të paktën 10 vite që nuk flasin për hekurudhën Tiranë-Durrës, por tren nuk ka, karrocë ka, pavarësisht se paguhen 700-800 punëtorë”, tha ai.

Sipas kreut të opozitës, fondet e mëdha të investuara në infrastrukturë nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme për qytetarët.

“Problemet janë krijuar nga shkalla më e lartë e korrupsionit që mund të përfytyrohet, nga vjedhjet 100% të fondeve siç është djegësi i Tiranës, tek vjedhjet 90% të veprave të tjera publike”, deklaroi ai.

Berisha shtoi se rritja e çmimeve dhe mungesa e rritjes së pagave dhe pensioneve kanë ndikuar, sipas tij, në përkeqësimin e gjendjes sociale në vend.

“Rrënimi i familjeve shqiptare për shkak të rritjes së madhe të çmimeve dhe pothuaj në raport me çmimet një mosrritje kurrkund e rrogave dhe pensioneve ka bërë që 49% e shqiptarëve të jenë në varfëri ose në rrezik varfërie”, tha ai.

Kreu i opozitës kritikoi gjithashtu qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, duke pretenduar se mandati i qeverisë aktuale nuk ka legjitimitet.

“Ky mandat ka zero legjitimitet. Pra, Edi Rama me farsën elektorale nuk ka asnjë ditë legjitime në pushtet”, deklaroi Berisha.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›