E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Nuk do të pranojmë delegimin e interpelancave nga kryeministri

TIRANË, 20 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se opozita nuk do të pranojë asnjë ndryshim rregullator që lejon delegimin e interpelancave nga kryeministri, duke theksuar se kjo, sipas tij, bie ndesh me Kushtetutën.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha u shpreh se neni 80 i Kushtetutës e përcakton qartë detyrimin e kryeministrit dhe ministrave për t’u paraqitur në interpelancë kur kërkohet nga deputetët.

“Nuk do të pranojmë kurrë delegimin e interpelancave nga kryeministri. Kushtetuta nuk e njeh një gjë të tillë. Nuk vjen, ne marrim vendimet tona”, tha Berisha.

Ai shtoi se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar, sipas tij, ndryshimet e mëparshme në rregulloren e Kuvendit dhe ka urdhëruar rishikimin e tyre brenda afateve të përcaktuara.

“Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë këtë akt si antikushtetues dhe urdhëroi Parlamentin që të bëjë amendimet e domosdoshme”, u shpreh Berisha.

Berisha akuzoi mazhorancën për kufizim të hapësirës së opozitës në Kuvend.

Kreu i PD-së foli edhe për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke e konsideruar atë të “plagosur rëndë” nga qeveria.

“Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është plagosur rëndë nga vjedhjet e Edi Ramës, Ballukut, AKSHI-t dhe akte të tjera. Ka ndodhur ajo që nuk është parë ndonjëherë, është ndërruar raporti dy herë, është pasuruar raporti dhe janë shtuar kërkesa thelbësore nga një seri vendesh, anëtare të BE”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës, PD mbështet integrimin evropian të vendit, por theksoi se qeveria aktuale nuk përmbush kriteret e nevojshme, përveç atyre gjeopolitike.

“PD mbështet plotësisht procesin e integrimit, qoftë vetëm për shkak të kriterit gjeopolitik”, deklaroi ai.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›