Berisha: Nuk jemi kundër investimeve të huaja, Rama fshehu të vërtetën për Zvërnecin

TIRANË, 20 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se kryeministri Edi Rama se ka shkelur procedurat ligjore dhe standardet e tranasparencës lidhur me projektin në Zvërnec.
Në një bashkëbisedim online me qytetarët, Berisha u shpreh se “Dosja e Zvërnecit, gjithçka po zhvillohet sot rreth atij problemi, është për shkak të hileve dhe mungesës së plotë të transparencës të Edi Ramës në atë dosje. Në mënyrë absolute për shkak të mashtrimeve, të dezinformimit, të keqinformimeve, të qëndrimeve antiligjore të Edi Ramës dhe ajo solli këtë situatë”.
“Pra, nuk është se ne jemi kundër investimeve të huaja, absolutisht jo. Por çdo investim, çdo proces duhet të bazohet në ligj. Në ligjin shqiptar dhe ligjin ndërkombëtar. Ligji ndërkombëtar e detyron Shqipërinë të informojë dhe të diskutojë me komunitetin”, theksoi ai.
Duke iu referuar protestave për Zvërnecin, Berisha deklaroi se Partia Demokratike mbështet të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por shtoi se kjo protestë nuk është organizuar nga forca politike që ai drejton.
“Mbështesim çdo protestë, të drejtën e qytetarëve për protestë dhe mbështesim çdo protestë. Dhe kemi mbështetur, me qindra dhe mijëra demokratë. Unë kam parë se Edi Rama kishte shkelur çdo ligj, se Edi Rama kishte dhënë lejen e zhvillimit në kundërshtim me ligjin, më vonë doli se kishte dhënë dhe lejen e ndërtimit, dhe se i fshehte këto, atëherë sigurisht qëndrimi im ishte dënimi me forcën më të madhe i qëndrimeve të tij”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së shtoi se kërkesa e protestuesve “është më e drejta e të gjithë të të drejtave, dorëheqje e menjëhershme dhe krijimi i një qeverie teknike jopartiake”.
“Një qeveri teknike mund të jetë jopartiake edhe sikur të mos ishte protesta, por sot kemi një protestë jopartiake. Prandaj dhe krijimi i një qeverie jopartiake me misionin e përgatitjes së zgjedhjeve të reja. Mendoj se ky do ishte shërbimi më i madh që do i bënin kombit dhe Shqipërisë”, tha Berisha.
/e.xh/ /a.g/