Berisha: Nuk lejojmë jagot e Flamingove të përvetësojnë protestën studentore

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se ata që barazojnë qeverinë me opozitën, synojnë të shuajnë shpresën e qytetarëve dhe të zhvlerësojnë votën.
Berisha e cilësoi këtë qëndrim si “tezën më diabolike”, teksa shtoi se synon të dekurajojë qytetarët dhe t’i bindë ata se ndryshimi politik është i pamundur.
Sipas Berishës, kjo tezë nxit qytetarët të mos marrin pjesë në zgjedhje ose të vazhdojnë të mbështesin pushtetin aktual, me bindjen se alternativat politike nuk ndryshojnë nga njëra-tjetra.
“Qëllimi është shumë i poshtër. Qëllimi është shumë diabolik. Qëllimi është që vota s’ka vlerë. Atëherë hajdut për hajdut po mbaj këtë që kam. S’kam pse të votoj. Ose s’shkojnë në votim, po meqenëse janë njëlloj, unë po mbyll sytë e po votoj për këtë që kam”, tha ai.
Berisha tha se çdo opozitar duhet të bashkohet, por nuk lejojmë jagot e Flamingove të përvetësojnë protestën studentore.
Sipas Berishës, këta aktorë përpiqen të pengojnë bashkimin e opozitës dhe të shmangin kërkesat për ndryshim politik.
“Ne kemi lindur në protestë, mbetemi parti e protestës, do të jemi parti e protestës. Kjo nuk ka dyshim. Ndaj dhe protestat e studentëve do të kenë mbështetjen më të fuqishme të Partisë Demokratike. Do të kenë dhe mbrojtjen më të madhe të Partisë Demokratike. Ta harrojnë jagot e Flamingove se mund t’i bëjnë kësaj proteste atë që i bënë protestës së parë”, u shpreh Berisha.
“Ky ka qenë dhe një nga qëllimet që kam shpallur që ditën e parë, objektiv krahas mbështetjes edhe mbrojtjen e protestës. Kjo është protestë studentore dhe e gjimnazistëve. Kjo protestë është thirrur nga sindikata e universiteteve. Cilido që kërkon ta përvetësojë, t’i rrahë gjoksin, mashtron publikisht dhe ne do ia nximë fytyrën”, tha ai.
Kreu i PD-së theksoi se protesta duhet të mbetet e studentëve dhe gjimnazistëve, duke nënvizuar se në të marrin pjesë edhe të rinj që vijnë nga familje me bindje të ndryshme politike.
Berisha përsëriti gjithashtu thirrjen për bashkimin e të gjithë faktorëve opozitarë.
“Doli çdo tezë, po teza e bashkimit, të një fronti opozitar kundër kësaj qeverie që i ka bërë këtij vendi dëme të këqija sa asnjë pushtim, kjo tezë nuk doli, nuk u dëgjua ndonjëherë. Unë prapë e them, ka vetëm një rrugë, bashkimi i të gjithë faktorëve opozitarë për çka qëndron Partia Demokratike! Qëndron me vendosmërinë më të madhe. Kush është burrë, kush është grua, kush është faktor sot duhet të bashkohemi”, tha ai.
/m.q/j.p/r.e/