Rama: Në ditët në vijim hapim dritare digjitale për studentët që duan dialogun

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama njoftoi se në ditët në vijim do të hapet një platformë digjitale për dialog me studentët, e cila, sipas tij, do të shërbejë për të mbledhur mendimet dhe opinionet e tyre, përfshirë edhe të atyre që hezitojnë të shprehen publikisht.
Gjatë një mesazhi drejtuar studentëve, Rama tha se platforma synon të krijojë një hapësirë komunikimi për ata që dëshirojnë të dialogojnë me të.
“Në ditët në vijim do të hapim një dritare digjitale për dialogun, e cila do t’i shërbejë të gjithë atyre që duan të dialogojnë me mua po kanë frikë, frikë në vitin 2027. Frikë, kur nga ana tjetër pretendon se mund të marrësh në dorë Shqipërinë, frikë nga e drejta jote për të folur lirisht. Gjithsesi për të gjithë ata që kanë frikë nga dhunuesit online do të jetë kjo faqe e cila do të më shërbejë mua dhe kolegëve të mi, për të dëgjuar sa më shumë e për të mbledhur sa më shumë opinione nga studentët”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se, “Shqipëria është shumë e vogël për t’u kthyer në arenë sherresh primitive, ndërkohë që rritja e mëtejshme e ekonomisë sonë dhe krijimi i mundësive të reja për të rishpërndarë më shumë të ardhura prej saj, kërkojnë stabilitet, siguri, qetësi dhe punë, punë, punë. Mund, mund, mund. Këmbëngulje, këmbëngulje, këmbëngulje”.
“Zgjatja e protestës së flamengove nga soj-soj sorrash e korbash të etur për sherr, për pushtet, për përçarje shoqërore dhe fetare, për destabilizim e për hakmarrje ndaj suksesit ndërkombëtar të Shqipërisë, e dëmtoi turizmin dhe i uli të ardhurat që mund të kishim marrë edhe më shumë nga sezoni i verës për të rishpërndarë”, tha Rama.
“Këto bam-bumet e këtyre javëve nuk kanë asnjë shans të largojnë qeverinë, por ama e kanë goditur ekonominë dhe vetë Shqipërinë, e cila prej dy javësh eksporton pamje që nuk i ftojnë po i largojnë turistët; që nuk i ftojnë po i largojnë investitorët; që nuk e ftojnë po e largojnë paranë nga vendi. Dhe për çfarë? Për interesat e kujt mund t’ia vlejë kjo luftë qorre?!”, shtoi Rama.
“Ju thashë, nuk dua të rikthehem sot te ata që janë para, që janë brenda, që janë mbrapa këtij mishmashi të pistë. Po një gjë është e sigurtë: Kjo luftë qorre nuk sjell asnjë të mirë për Shqipërinë dhe nuk i mbron, përkundrazi, i dëmton të gjithë ata që jetojnë dhe duan të jetojnë në këtë vend me punë të ndershme, që rrisin fëmijë dhe duan t’i kenë fëmijët të rritur këtu në një shtëpi të përbashkët që është shumë më e mirë për të gjithë”, theksoi Rama.
“Unë jam këtu për ta dhe kjo qeveri dhe kjo shumicë qeverisëse, do të jetë këtu për ta deri ditën e fundit të mandatit”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se, “të tjerët më kanë dhe do të më kenë përballë, me dialog kur të duan e ku të duan, dhe me forcën e ligjit dhe të normave të bashkëjetesës demokratike, sa herë do të gabojnë të sfidojnë ligjin dhe rendin demokratik të këtij vendi”.
“Nganjëherë shteti vonon, por asnjëherë shteti nuk harron! Dhe unë nuk jam as bloger, as influencer, e nuk kam as detyrë të pëlqehem, as nevojë të marr pëlqime, po kam detyrë ta udhëheq Shqipërinë drejt objektivit historik, tryezës së Bashkimit Europian. Prandaj nuk ndalem, nuk ndalemi, nuk do të më ndalin dhe nuk do na ndalë dot askush. Kush jemi ne? Ne jemi shumica e shqiptarëve”, tha Rama.
/gj.m/j.p/r.e/