E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Opozita, në moment kritik të përmbushjes së misionit me revoltë popullore

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi mbrëmjen e sotme një bashkëbisedim të hapur me qytetarët dhe anëtarët e njësisë 4 në Tiranë, ku foli për sfidat politike, ekonomike dhe demografike të vendit.

Gjatë fjalës së tij, Berisha e krahasoi situatën aktuale politike me regjimet diktatoriale, duke theksuar se diktaturat zgjedhjet i kanë farsë pasi vota vdes para se të mbërrijë në kuti.

Berisha theksoi se opozita ndodhet në një moment kyç për të ardhmen e vendit, duke nënvizuar se diktaturat autoritare përmbysen vetëm në një rrugë, me revoltë popullore.

“Tani ne jemi në një moment kritik të përmbushjes së misionit tonë. Asgjë s’do përcaktojë më shumë fatin e Partisë Demokratike, fatin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar sesa përmbushja e misionit tonë, përmbysja e këtij regjimi. Diktaturat nuk janë të lehta për t’u përmbysur. Por diktaturat autoritare, edhe totalitaret, përmbysen vetëm në një rrugë: me revoltë popullore. Ata të cilët besojnë se mund ta përmbysin diktaturën me votë, mashtrojnë veten e tyre”, tha Berisha.

Berisha vuri theksin edhe tek emigracioni dhe sfidat demografike në Shqipëri.

“Nga viti 2014 gjer në vitin 2023, vetëm në hapësirën europiane kanë emigruar 1 milion e 100 mijë shqiptarë, nga të cilët rreth 700 mijë të rinj. Në 10 vite, vendi u boshatis nga shpresa”, tha Berisha.

Duke folur për situatën ekonomike, ai theksoi se nëse në 2013-ën shqiptarët ishin më të paguarit në rajon, sot 49% e tyre përballen me vështirësi ekonomike.

Ai theksoi se opozita ka arritur ta paraqesë situatën shqiptare në arenën ndërkombëtare.

“Ne ia dolëm ta paraqesim realitetin ashtu siç është para ndërkombëtarëve”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, Berisha ngriti shqetësime për funksionimin e shtetit ligjor, duke deklaruar se ligji nuk po zbatohet njësoj për të gjithë.

Ai theksoi se kërkesa e organit të akuzës për veprime procedurale ndaj zv/kryeministres, Belinda Balluku nuk ka marrë përgjigje institucionale.

“Ka dy muaj që prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut dhe asgjë nuk ndodh”, tha Berisha.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›