E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Opozita të dalë me kandidatë të përbashkët për zgjedhjet lokale - ATSH -

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se emrat e kandidatëve për zgjedhjet e lokale do të bëhen publikë sa më shpejt, ndërsa procedura e përzgjedhjes së tyre do të vendoset nga forumet e partisë.

I pyetur nga gazetarët nëse PD do të zhvillojë procesin e primareve për zgjedhjen e kandidatëve për bashkitë, Berisha tha se brenda partisë ka mendime të ndryshme për këtë çështje dhe se vendimi do të merret nga strukturat përkatëse.

“Emrat e drejtuesve dhe kandidatëve do të jenë në një kohë sa më shpejt të mundur. Lidhur me procedurën, ka mendime të ndryshme, dhe ajo do vendoset nga forumet e partisë. Nuk mund të them tani. Statuti ka përcaktimet e veta, por mendime ka të ndryshme, ç’është e vërteta”, tha ai.

Sa i përket garës për bashkinë e Tiranës, kreu i PD-së bëri thirrje për bashkimin e të gjitha forcave opozitare në një koalicion të gjerë, me kandidatë të përbashkët në të gjithë vendin, përfshirë edhe Tiranën.

“PD dhe partitë opozitare mendoj se kanë përgjegjësinë në betejën kundër kësaj të keqe të madhe të bashkohen në këto zgjedhje vendore me kandidatë të përbashkët në një koalicion të gjerë në gjithë Shqipërinë, përfshi edhe Tiranën. Kështu që ky është qëndrimi ynë. Ne jemi të hapur. Ne do bëjmë gjithçka për të bashkëpunuar me të gjithë pa përjashtim, me të gjitha forcat politike, me të gjitha shoqatat, me të gjithë faktorët që janë të vendosur, ose e konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe të këtij vendi, për largimin e tij, qoftë në fushën elektorale, qoftë në fushën e protestave, qoftë në çdo fushë tjetër”, tha ai.

Berisha u pyet edhe në lidhje me dekretimin nga Presidenti Bajram Begaj të ligjit për ndarjen e re territorialo-administrative.

Ai tha se Partia Demokratike do ta kundërshtojë reformën përmes rrugëve ligjore, duke paralajmëruar ndjekjen e të gjitha procedurave për ta çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

“Po, ne do ta ndjekim me të gjitha modalitetet ligjore”, deklaroi Berisha.

/m.q/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›